Lokalet në sfidë për mbijetesë, shoqata e Gastronomëve të Kosovës thirrje për ndihmë qeverisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Për të frenuar përhapjen e COVID-19 qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash, ndër to edhe mbylljen e lokaleve, që prej 13 marsit

Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve, por edhe qytetarëve qeveria e Prishtinës miratoi Pakon Emergjente Fiskale, me vlerë 179,6 milion euro.

Ndërkohë shoqata e gastronomëve, kërkon më shumë ndihmë nga qeveria, pasi ka qenë një ndër sektorët më të prekur nga COVID-19, shkruan “Monitor”.

Kreu i shoqatës, Petrit Kllkoqi, kërkon subvencionim të pagave, ndihmë në mbulimin e qirave dhe shlyerjen e kredive.

“Do të fillojmë të punojmë, mirëpo kemi me fillua të punojmë të hendikepuar, me kapacitete gjysmake. Kështu që këtë hendikep mundet ta plotësojë qeveria në këtë rast në vazhdim të subvencionimit të pagave, me vazhdim të mbulimit të qirave, si dhe me vazhdim të shtyrjes së kredive. Me këtë i bëjmë thirrje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët që t’ia dalim mbanë edhe të rihapjes ose të rimëkëmbjes së bizneseve. Përveç këtyre pikave, kishim dashur t’iu bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve që të jenë të vetëdijshëm dhe t’i përmbahen pikave të hapjes, për arsye se kjo punë dy mujore prej gjithë popullit që e ka bërë nuk duhet të shkoj huq me hapjen e bizneseve tona. Njëkohësisht Inspektoratit të punës i bëjmë thirrje që të shkojnë në mënyrë stimuluese ndaj bizneseve dhe jo në mënyrë ndëshkuese”, tha ai.

Ndër të tjera, Kllokoqi bëri me dije, se do t’i propozojë qeverisë modelin e Austrisë për hapjen e këtij sektori.

Sipas modelit austriak, tavolina duhet të jenë 1.5 m larg njëra tjetrës, ndërsa klientët duhet të kenë një hapësirë 1m ndërmjet tyre.

“Ne e kemi marr modelin e Austrisë dhe Gjermanisë, ku e dimë se edhe në rajon sot edhe në Beograd janë hapur kafiteritë. Mirëpo, njëkohësisht ne i kemi marrë prej austriakëve, ku parashihet që në restorant tavolinat me qenë njëra prej tjetrës 1.5 metra, klientët në mes vete minimalja të jetë 1 metër, dezinfektuesit të jenë të pranishëm, menyja të jenë një përdorimesh të dezinfektohen. Servisi, piruni, thika, të mos jenë të pranishme, mirëpo të shkojnë bashkë me ushqimin. Ka shumë ideja që po presim që të na thirrin IKSHPK që me qenë bashkëpunues”, vijoi ai.

Më pas ai shtoi se nëse gjithçka shkon mirë më 18 maj, në korrik mund të hapen salat e dasmave dhe diskot.

Ndërsa kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, vuri theksin te vështirësitë që pritet të kalojë sektori i gastronomisë.

“Deri në 500 milionë euro sipas të gjitha vlerësimeve, që është bajagi një vlerë e madhe për ekonominë e vendit. Kështu që ne shpëtojmë jo vetëm vende pune, po ne shpëtojmë edhe sektor, kompani të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë nëse i marrim masat e duhura”, tha ai.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka planifikuar hapjen e lokaleve më datë 18 maj, vetëm për shërbime “take away”, ndërsa më 1 qershor do të bëhet hapja e plotë.

Shpërndaje
Share.

Komento