Përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu ka thënë se një sërë emrash nga PS, kishin ngritur strukturë për marrjen e votave. Logu tha se Ardian Çela, Vangjush Dako, Lefter Koka, Ergys Çyrbja, Rrahman Rraja merrnin votën nëpërmjet parave, ushqimeve, presioneve. Ai shtoi se janë depozituar dy kallëzime në SPAK dhe se PD kërkon të konfirmojë se këta persona kanë dhënë shuma nga 100 deri në 300 euro në këmbim të votës. Logu shtoi se javën e fundit të fushatës janë shpërndarë 6 milionë euro.
“Ne kemi kërkuar ashtu siç është bërë e qartë, kemi kundërshtuar vendimin 340 për miratimin e tabelës përmbledhëse të Qarkut të Durrës, duke kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun e Durrës dhe rizgjedhje në këtë qark. PD, ka paraqitur përpara jush një material ankues me 58 faqe, e duke shpjeguar të gjitha shkeljet që kanë ndodhur në Qarkun Durrës. Konkretisht kemi parashtruar para këtij komisioni, që Ardian Çela, Vangjush Dako, Lefter Koka, Ergys Çyrbja, Rrahman Rraja, e drejtues të tjerë lokal, përfaqësues të PS, individë të PS kishin ngritur një strukturë për marrjen e votave, ndërmjet ushqimeve, parave, presioneve. Ne kemi depozituar për këtë dy kallëzime penale në SPAK. Ajo që ne kërkojmë të provojmë është fakti që për këta shtetas, të identifikuar, ju ishin dhënë në këmbim të votës, shuma nga 100 deri në 300 euro, krahas tyre personave janë dhe emrat e patronazhistëve, që janë dhënë këto para. Sigurisht, investigimet e PD, shkojnë deri në një pikë të caktuar. Ne parashtruam po ashtu, se janë shpërndarë 115 milionë euro nga fondi i rindërtimit nga PS. Po ashtu janë shpërndarë 6 mln euro në javën e fundit të fushatës. Fondet e rindërtimit u përdorën për zgjedhje. Ne ju treguam edhe prova të tjera për të vërtetuar ato që ne ngritëm në këtë komision. Ne i parashtruam para këtij komisioni, se shteti vendosi në dispozicion, tendera PPP dhe investime publik. Në 76 raste, ministrat, kryeministri, përdorën rindërtimin për shkaqe elektorale. Shtetas me rekorde kriminale, përfituan tendera. U refuzua e drejta për transparencë, jo vetëm e PD, por edhe e drejta e qytetarëve të Durrësit, për transparencë. Ne parashtruam se punonjësit e administratës shtetërore, janë vendosur në presion për të ofruar mbështetje për PS. Veçanërisht sollën prova se si Arben Isaku, i dërgonte mesazhe punonjësve, që braktisni vendet e punës dhe punoni për PD, kështu ka ndodhur në të gjitha administratat zgjedhore.”, ka thënë Logu.