Lidhja mes fituesit të tenderit të Porto Romanos dhe inceneratorit të Sharrës/ Kush po çon ujë në mullirin e Klodian Zotos?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Transporti i dherave dhe mbetjeve është një çështje për të cilin është folur shumë pak deri më tani.

Me ligjin Nr. 10448, datë 14.7.2011, të ndryshuar me vendim qeverie, ndërtuesit janë të detyruar t’i dorëzojnë mbetjet tek operatorët privatë dhe jo në pikat e përcaktuar nga bashkitë.

Që nga qershori i 2015-ës, bizneset detyrohen që t’i asgjesojnë mbetjet vetëm me firmën koncesionare, “Integrated Energy B.V.B”, me administrator Klodian Zoton.

Edhe pse në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan operojnë 334 subjekte, të licensuara, 90 % e mbetjeve rezultojnë të asgjesuara nga kompania e Zotos.

Pas koncesionit famëkeq të inceneratorit të Sharrës, emri i Klodian Zotos do të shfaqet sërish, pas tenderit për “Mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve ne parkun e Porto-Romanos”.

Fitues i tenderit u shpall konsorciumi “Victoria Invest International” dhe “De Mare srl” me administrator Fausto De Mare.

Kompania italiane është një njohje e vjetër e Zotos, pasi së bashku kanë bashkëpunuar në 2016-ën, kur ai mori dritën jeshile nga qeveria, për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës në Tiranë.

Asokohe, “De Mare” u bë pjesë e koncesionit, si kontraktore në punime edhe pse nuk ishte e regjistruar në Shqipëri.

Kompania italiane do të regjistrohet zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit më 18 tetor të 2019-ës, si degë e kompanisë “De Mare srl”.

Edhe pse kishte vetëm dy ditë që ishte regjistruar në QKR, kompania italiane paraqet ofertën e saj pranë Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Gazetareforma.com u interesua pranë AKUM, në lidhje me procedurat e tenderit, për të hedhur më shumë dritë rreth dyshimeve të ngritura.

AKUM shpalli hapjen e procedurës online për ndërtimin e këtij projekti më 16 tetor të 2019-ës.

Mbyllja dhe dorëzimi i ofertave pritej të bëhej më 9 dhjetor, por pas një urdhëri të Ministrisë së Financave të datës 2 dhjetor, AKUM ndërpret procedurën,  me pretekstin e fatkeqësisë natyrore.

Disa ditë më vonë, më 16 dhjetor, qeveria ngarkon AKUM që të marrë masat e nevojshme për mbylljen e zonës së mbetjeve në Porto Romano.

Ky nxitim i qeverisë për të mbyllur sa më shpejt tenderin hedh dyshime të forta, duke qenë se procedura kishte nisur që në tetor të 2019-ës.

Ndërkohë AKUM në përgjigjen e saj bën me dije se u afruan 4 kompani për të marrë pjesë në tender dhe u shpall fitues konsorciumi “Victoria Invest International” dhe “De Mare Srl”, me ofertën më të ulët të paraqitur.

Në cilësinë e Kryetari të Këshillit Kombëtar të Territorit, kryeministri Edi Rama miratoi më 13 janar të 2020-ës lejen e ndërtimit.

Gjithashtu në një nga mbledhjet e qeverisë, më 6 dhjetor të 2019-ës, Rama bëri me dije se mbeturinat që ndodhen në Porto Romano, do të kalojnë në inceneratorin e Sharrës.

Bazuar në kontratën mes Zotos dhe Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit duhet t’i paguajë 29euro/ton mbeturina “Integrated Energy B.V.B”.

Edhe pse shtimi i lëndës së parë duhet të ulë tarifën që autoritetet shtetërore duhet t’i paguajnë koncesionarit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, ndërsa nga ana tjetër, fitimet e koncesionarit shkojnë gati në dyfishim.

Nisur nga faktet e sipërmpërmendura, ka dyshime të forta, se “De Mare srl”, është përdorur si një urë kalimi për të lidhur dy anët e kësaj skeme, ku nga njëra anë qëndron qeveria dhe nga ana tjetër Klodian Zoto.

Shpërndaje
Share.

Komento