Kryeministri Edi Rama, në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka kufizuar lëvizjen e këmbësorve edhe brenda orarit 5:00-13:00, duke bërë që gjatë 24 orëve të lejohet vetëm një person të dalë nga shtëpia dhe leja do të merret online nëpërmjet një aplikacioni, ose me telefon.
Platforma për aplikimin, që do të jetë portal qeveritar e-Albania, u prezantua pak më pare duke shtuar në portal shërbimin e ri “leje për dalje”, ku mund të bëhet aplikimi dhe konfirmimi merret menjëherë me e-mail apo sms.
Ndërsa për ata që nuk disponojnë kompjuter apo smartphone, Rama tha se po punohet me kompanitë telefonike, ndërsa do të vendoset në dispozicion numri i telefonit 55155, por konfirmimi do të vijë pas 24 orësh.
Të moshuarit ndërkohë përjashtohen nga ky shërbim.
Kështu, njerëzit janë drejtuar te E-Albania për të marrë leje, çka ka bërë që aplikacioni të mbingarkohet e të ketë disa problme.
Disa minuta më parë, kryeministri Edi Rama ka dhënë një sqarim tjetër sa i përket aplikacionit të leje-daljes duke theksuar se do të përdoret nga e hëna dhe në vijim, pasi e diela njësoj si javën e kaluar do të jetë e mbyllur totalisht 24 orë.
STATUSI I EDI RAMËS
O NJERËZ! APLIKACIONI PUNON DHE LEJA E DALJES DUHET NGA E HËNA, JO NESËR! PRANDAJ ME QETËSI E ME DURIM DHE PAK MË TË VËMENDSHËM KUR LEXONI E DËGJONI NJOFTIMET, SE TË GJITHË TEK E TEK NUK I SQAROJMË DOT!
https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157575528721523
Më herët Rama sqaroi edhe planin e riatdhesimit, duke thënë se personat që ndodhen në vendet e tjera të botës dhe do të sillen në Shqipëri janë një listë e mbyllur prej 1379 persona.
Po ashtu, Rama tha se në Shqipëri do kthehen vetëm ata persona që kanë ngecur në shtetet e tjera për shkak të mbylljes së kufijve dhe jo shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit dhe në kohën e koronavirusit kujtohen ta kalojnë atë në Shqipëri, me shpresën se vendi ynë nuk është shumë i goditur nga pandemia.