Me gjasë u ka rënë në vesh “profecia” e famshme e gazetarisë: “Lajm nuk është kur qeni kafshon njeriun, por kur ky i fundit kafshon qenin”?
Nëse bëjmë një paralelizëm të kësaj fraze me gjithë çka po ndodh sot, gamën e aferave dhe abuzimeve nga pushtetarët e zyrtarët e vendit, epo asgjë nuk përbëka më lajm.
Nuk jemi më në “ethe”, nuk na bën përshtypje teksa shohim që dita ditës në tavolinën e hetuesve shtohen radhë dosjet me shkelje të zyrtarëve të vendit që janë zgjedhur të na shërbejnë. Taksat që sa vijnë e shtohen në kurrizin tonë, nuk derdhen në buxhetin e shtetit por në kuletën e drejtorëve.
Ndalemi pak te kjo e fundit. Me siguri keni dëgjuar për aksionin më të fundit të “SPAK-ut”. “5D” “preu” 9 masa sigurie për drejtorët e Bashkisë së Lali Erit që nuk ka të ndalur me afera dhe këtë herë e pësuan vartësit e tij. 3 prej tyre në arrest në burg, 6 të tjerë detyrim paraqitje.
Më shumë sesa thasët me para që kanë vjedhur nga taksat tona, na dhemb morali që fshihet pas kësaj të vërtete të hidhur që ndodh rëndom në vendin tonë dhe jemi të pafuqishëm për t’i dhënë zgjidhje.
Dhe meqenëse jemi tek “5D-ja” e famshme, nuk mund të lëmë pa përmendur drejtoreshën e Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçin emri i së cilës doli hapur në këtë aferë. Vajza nga Durrësi, një ish notare, e cila u kthye në atdhe pas studimeve në Milano për të vazhduar jetën e saj në kryeqytet dhe për t’u përballur me sfidat në krye të drejtimit të sporteve.
Me gjasë ky do të ishte shkëlqimi i karrierës së saj që e jetonte mes luksit dhe aventurave në Maldive, New York apo Paris. Por rënia është më e thellë. E gjitha e zbuluar në “prapaskenat e një tjetër cirku mediokër” ku janë mbledhur sërish zyrtarët e vendit tonë.
“Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta”, thuhet në dosjen e SPAK.
Është për të ardhur keq sesi nga një figurë e lartësuar për talentin e saj, Deborah Keçi përfundoi “vegël” e qeverisë që nuk ka të ngopur nga mundi dhe djersa e popullit të thjeshtë duke i vënë mbi supe këtë peshë të rëndë abuzimi.
Keçi tashmë është pjesë e kalvarit të gjatë të “veglave të oligarkisë” që në vetëdije të gjithë e dinë që “merr frymë” në vendin tonë, por siç cekëm edhe me sipër nuk kanë fuqinë ta “luftojnë”.
Ish-Drejtoresha e luksit u bë bashkë me punonjësit e administratës që janë bërë firmëtarë të verbër nën urdhrat eprorëve që kanë ves “lëpirjen” ndaj oligarkëve. Rasti i Deborah Keçit simbolizon asgjë më tepër se njerëzit e shkelur e pa dinjitet që kontribuan në vjedhjen e jo vetëm pasurisë tonë të përbashkët por jetës tonë, ëndrrave tona.
Ky kalvar “cirku” po sjell shkatërrim total jo vetëm monetar, por edhe kulturor, karakteri dhe identiteti të njerëzve.
Shumë bukur e ka nënziuar ndër rreshta edhe gazetari Neritan Sejamini i cili shprehet se Deborah Keçi nga kampione noti përfundoi në një hajdute ordinere duke bërë letrat për hajdutët. I ftuar në emisionin Të Paekspozuarit me Ylli Rakipin, Sejamini u shpreh se, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që kanë vjedhur hapur fare.
“Një nga personat që doli aty ka qenë kampione noti (Deborah Keçi), ka përfunduar bën letrat për disa hajdutë. Një person kampione noti, e shkolluar jashtë vendit, përfundon hajdute ordinere që është shqetësuar të rregullojë letrat që të vjedhin shefat. A ka gjë më të keqe për shoqërinë? Që njerëzit më të shquar përfundojnë në këtë pikë.
Historia e dytë, dikush thoshte, u lodhëm se i kishte mirë letrat kompania, pra administrata shqetësohet, kur kompania ka letrat në rregull, është fatkeqësi, sepse qëllimi i administratës nuk është t’i shërbejë interesit publik por hajdutëve.
Më doli një postim i një prej drejtorëve. Kishte rënë shi në Tiranë ishte përmbytur Lana dhe kishin dalë qeset plastike. Kishte vënë foto dhe thoshte, përmbytje ndodhin edhe në Amerikë, por një popull pa edukatë që hedh këto gjëra kështu… Ndërkohë ky ishte hajduti që po vidhte paratë tona. Këta janë mashtrues të nivelit të lartë, asnjë fjalë e tyre nuk duhet besuar. E vërteta e tyre është kjo që vjedhin. Këto me pemë, me shkolla, janë fasada, në thelb janë hajdutë të parave tona.
Këta janë njerëz të thjeshtë, pa kontribute. U mundova të gjej çfarë kishin bërë para Bashkisë, asgjë fare. As shkolla nuk ju gjendet, me përjashtim të njërit që ka punuar në një kompani ndërtimi.
Gjëja e parë që kanë bërë, kanë filluar të vjedhin. Ka patur shkrim të BIRN në 2016, që Tusha sa kishte vajtur drejtor i kishte dhënë tender motrës së vetë. Pra sa kanë vajtur në Bashki kanë vjedhur.
E dyta e kanë bërë në grup, krijojnë grup kriminal. Ky është grup kriminal. Lexova konventën dhe këta i kanë të gjithë elementët e grupit të strukturuar. Kanë bërë vjedhje të përmasava të mëdha. Nuk bëhet fjalë për korrupsion të thjeshtë. Kanë vjedhur për një kohë të gjatë, sapo kanë vajtur në zyrë dhe kanë vjedhur vazhdimisht. Nuk kanë pushuar të vjedhuri. E kanë bërë hapur, pa u fshehur fare”, tha Sejamini
“Shokët” e Deborah Keçit
Publikimi i databazës të të dhënave personale dy vite më parë nxori në pah pagat e mijëra qytetarëve, rrogën dhe pozicionet e punës të emrave të njohur publik. Aktorja Monika Lubonja ishte një emër që tërhoqi vëmendjen pasi renditej si këshilltare e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me një pagë prej 1.14 milionë lekë të vjetra. Lubonja nuk humbi asnjë cent nga rroga edhe pse për disa muaj “jetoi” në shtëpinë e famshme të “Big Brother Vip”, ku konkurronte për çmimin e madh.
Lubonjën e pason, kolegia e saj Egla Ceno, një nga personazhet më të spikatura në këtë “Big Brother”. Por jashtë shtëpisë së famshme, gjërat duket se janë komplikuar për të, pasi rezulton se ndonëse prej 3 muajsh është pjesë e BBV, paguhet si aktore pranë Teatrit të Elbasanit.
I radhës është, Ermal Mamaqi i cili pak kohë më parë u akuzua se ka dalë në hetimet e SPAK-ut, si pjesë e skemës së pastrimit të parave me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke lëshuar disa fatura fiktive nga biznesi ku ai është 50% aksioner.
Dhe i fundit por jo më pak i rëndësishëm për ta nënvizuar, aktori i humorit Besart Kallaku, i cili vitet e fundit performon edhe si këngëtar, dyshohet se është një lidhje e fortë e Ilir Metës, për “korrupsion”. Kallaku është përfolur si një nga personazhet që Ilir Meta ka fshehur një pjesë të pasurisë.
Edhe pse me pagën si aktor nëpër televizione, Bes Kallaku është sot pronar restorantesh, lokalesh, apartamentesh, makinash luksoze etj., me burim të dyshimtë./Gazetareforma