“Kur do të marrim atë që meritojmë?”/ Nuk është shpërblyer për medaljet, Briken Calja shpërthen ndaj qeverisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Briken Calja është një nga peshëngritësit që kanë ngritur lart flamurin shqiptar në arenat ndërkombëtare.

Ai numëron plot katër medalje ari, 2 argjendi në Europian dhe një medalje bronzi në Botëror, mirëpo këto arritje nuk janë vlerësuar aspak nga shteti shqiptar.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Calja i bën thirrje kryeministrit dhe ministres së Arsimit, që të zbatojnë VKM-të për shpërblimet.

Shpërblimet janë të përcaktuar edhe nga Federata Botërore e Peshëngritjes.

Kur kanë kaluar 19 muaj pritje, Calja ende nuk ka marrë atë që i takon.

Ai sqaron se me ligj, përfiton punësim pranë ministrisë së Brendshme apo të Mbrojtjes, por deri më tani nuk ka marrë asgjë.

Calja vijon duke thënë se është i lodhur dhe i zhgënjyer nga burokracitë, por ama kryelartë.

Postimi i plotë

I ZHGËNJYER DHE I ZEMËRUAR POR KRYELARTË

Përgjatë dy viteve të fundit kemi arritur rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti!

Por në Shqipëri këto triumfe hostorike të hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë.

Marrim nje shembull konkret: Në Bullgari kundështarit tim në peshën 73 kg Andreev Bozhidar, pas 21 ditëve, kohë e cila është normale për sa i përket pritjes që i bëhen analizave anti-doping, ministri perkatës i sporteve i bën pritje zyrtare dhe i siguron mbështetje të mëtejshme institucionale, financiare dhe morale për garat e ardhshme. Ndërsa në një univers paralel, Briken Calja në Shqipëri, fitues i 4 medalje të arta e 2 të argjendta Evropiane dhe një bronzi Botërore, ende nuk është shpërblyer për të gjitha medaljet që i takojnë dhe është në pritje akoma pas 19 muajve për një pritje zyrtare nga ana e institucioneve përkatëse. Kjo është skandal dhe qesharake njëkohësisht.

Meqë ra fjala te shpërblimet, po ju informoj e sqaroj që zyrtarët e ministrisë me anë të disa argumentave qesharakë nuk zbatojnë dhe hedhin në kosh rregullat e Federatës Botërore të Peshëngritjes dhe V.K.M-në për shpërblimet në sport. Unë po kërkoj zbatimin e një VKM-je, asgjë më shumë, as lëmoshë e asgjë. Për Brikenin flet rezultati dhe jo burrokracitë dhe parazitizmat e rëmdomta që gjejmë në shoqërinë tonë.
Realisht ligji i sportit dhe VKM-të përkatëse janë përmirësuar ndjeshëm po problemi qëndron zbatimi i tyre.
Po vuaj padrejtesisht këtë çështje dhe dispozitat ligjore te parashikuara ne V.K.M dhe ligjin shqiptar më japin plotësisht të drejtë të përfitoj shumë herë me tepër se çkam përfituar deri më sot. Konkretisht, në 2018, kam marre 3 medalje ari dhe jam shperblyer vetem per nje te tille, shto dhe faktin që për shpërblimin e një medaljeve të vetme kam pritur 1 vit të plotë kalendarik, nderkohë ligji shqiptar e parashikon për 3 muaj. E njëjta gjë ndodh dhe me medaljet e 2019.

Me kanë kerkuar dokumentacion nga Federata Boterore,Europës,Komiteti Olimpik dhe Federata Shqiptare. Ja kam dorëzuar te gjitha dokumentat përkatëse dhe Ministria i ka dorëzuar vetë në institucionet përkatëse. Tani nuk dihet se ku qëndron problemi.
Çduhet të bëj më Briken Calja?

Prisni se ka akoma: Çështje tjetër është dhe punësimi i medalistëve të kampionatit Evropian dhe Botëror. Konkretisht nga ana ligjore unë përfitoj punësim pranë Ministrisë se Brendshme ose te Mbrojtjes por deri tani asgjë e tillë ska ndodhur edhe pse dokumentacionet janë plotësuar të gjitha zyrtarisht.

Se kur do të plotësohen këto gjëra nuk e di, mbase pas një shekulli?!
Ligji dhe VKM-ja për sportet kanë një vit që kanë hyrë në fletoren zyrtare.

Jam i lodhur nga këto burrokracira. Kur do të vijë dita kur do të marrim atë që meritojmë pa u bërë pjesë e këtyre dogmave skandaloze të shoqërisë sonë.

Njëkohësisht nëpërmjet këtij postimi publik i drejtohem Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sporteve.
Jam i gatshëm të bashkëpunoj për ti dhënë drejtimin e duhur zgjidhjes së kësaj situate.

I zhgënjyer, i zemëruar por kryelartë.

Juaji, Brikeni
🇦🇱🦅

Shpërndaje
Share.

Komento