Me mbërritjen e COVID-19 në Shqipëri qeveria ka marrë masa të shumta e të ashpra, teksa ditën e sotme i gjithë vendi ndodhet në ‘shtetrrethim’ dhe është ndaluar qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve.
Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë prej ditësh edhe ushtrinë për të kontrolluar zbatimin e masave për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërkohë që e gjithë Europa kanë marrë masa të ngjashme.
Shoqëria jonë nuk shquhet për ‘durim’, një karakteristikë shumë e rëndësishme në këtë situatë, por duket se shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar këtë gjë pasi vijojnë të shkelin masat.
Në këtë kuadër paraqisim 2 tablo:
-Kina: e cila ia doli të mposhtë COVID-19 falë masave ekstreme të marra nga qeveria, si edhe nga ndërgjegjësimi e disiplina e shoqërisë kineze.
-Italia: e cila po kalon periudhën më të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, sikundër ka thënë edhe kryeministri Konte, pikërisht prej moskokëçarjes dhe mos-ndërgjegjësimit të popullit italian.
Mirëpo, kur fillojnë të japin efekt masat dhe izolimi në shtëpi?
Në Kinë, kur qeveria urdhëroi qytetarët të izoloheshin në shtëpi dhe mbylli pothuajse gjithçka, pak besuan se këto masa mund të funksiononin, por gjërat ndryshuan pasi 12 ditë më vonë numri i të infektuarve filloi të ulej pak nga pak.
“Corriere della Sera” ka publikuar një studim nga Universiteti i Standfordit, i cili është përpiluar nga studiuesi Tomas Pueyo, që ka mbledhur analiza, të dhëna dhe tendenca të ndryshme të COVID-19 në të gjithë botën, duke u përqëndruar tek gabimet dhe strategjitë që po miratohen.
Ajo që tregon analiza është se midis 23 dhe 24 janarit (që nga izolimi i Uhanit dhe mbyllja e 15 qyteteve në Hubei) numri i të infektuarve arriti kulmin dhe më pas filloi të bjerë dy ditë më vonë dhe numri i të prekurve u rrit në mënyrë eksponenciale për 12 ditë të tjera.
Pas masave, numri i rasteve të zbuluara nga autoritetet vazhdoi të rritej, por në realitet epidemia filloi të “kontrollohej”.
“Deri në ditën e 12 pas izolimit, të infektuarit, duke pasur simptoma më të forta, shkuan te mjeku dhe përmirësuan sistemet e zbulimit të viruseve. Por rastet zyrtare, ashtu ato të paraportuara filluan të ulen në mënyrë graduale në ditët në vazhdim”.- ka treguar studiuesi.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që theksohet në këtë studim është se rastet e vërteta mund të jenë, në fillim të një epidemie, shumë më tepër sesa ato që kanë zbuluar autoritetet, pasi edhe në Uhan u mendua se kishte 444 raste, por në realitet numri i të infektuarve ishte 27 herë më i madh.
Ndërkohë, Italia gjendet prej më shumë se dy javësh në izolim, por deri më tani epidemia ka ardhur duke u rritur dhe sipas kurbës së infeksionit, Coronavirusi në Itali pritet të arrijë kulmin në ditët në vazhdim dhe të pësojë rënie në fillim të muajit.
Edhe në këtë studim, theksohet se një nga faktorët që ka çuar në një numër kaq të madh të infektuarish në Itali, lidhet me vonesën mes marrjes së tamponin dhe raportimit në platformën e dedikuar, veçanërisht në rajone.
“Rritja e epidemisë në dy ditët e fundit, duhet të interpretohet si vonesë në raportim dhe jo si përshkrim i përparimit të epidemies. Megjithatë, numri i viktimave në Itali, ku vetëm dje kishte gati 800 të vdekur, i ngjan një bilanci lufte.” shkruan “Corriere della Sera”.
Ajo që mund të themi, me siguri, duke u nisur nga trendi i kurbës së infeksioneve është se izolimi i qytetarëve dhe masat ekstreme sjellin përmbajtjen e epidemisë dhe sipas “Corriere della Sera”, në fund të muajit Italia do të shohë rezultatet e para.
“Duke parë trendin e rasteve të Lombardisë, vërejmë jo një ulje, por të paktën një ngadalësim të lehtë në disa provinca por është ende herët për të thënë”, shkruan “Corriere”.
Në këto kushte sjellim edhe një herë në vëmendje se ndërgjegjësimi i shoqërisë sonë është shumë i rëndësishëm në këto momente dhe duhet t’i zbatojmë me përpikmëri masat e marra, duke qëndruar në shtëpi e duke shmangur daljet e panevojshme dhe kontaktet me të tjerët.