Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht thuajse nga një fatkeqësi natyrore në vit, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me përmbytjet. Sistemi lumor në Shqipëri paraqet riskun më të madh për përmbytjet, kjo dhe për shkak se gjatë periudhës nëntor-mars bie rreth 80-85% e sasisë vjetore të shirave.
Situata aktuale gjithashtu paraqitet tepër e rënduar. Ditët e fundit në vendin tonë, reshjet e shumta të shiut kanë sjellë shumë probleme dhe qindra hektarë tokë mbetën nën pushtetin e ujit.
Prurjet e mëdha të ujit kanë shkaktuar daljen nga shtrati të Lumit të Vjosës në Vlorë.
Lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje masive në zonat përreth. Fillimisht janë çarë argjinaturat në Mifol dhe Bishan, duke bërë të mundur që uji të vërshojë në fshatrat Novoselë, Mifol, Fitore e fshatra përreth tyre.
E njëjtë situata është edhe në Fier, ku shumë shtëpi ndodhen në ujë. Situata alarmante paraqitet në Selenicë ku rrugët janë përmbytur dhe uji ka hyrë në katet e para.
Si rrjedhojë e shirave të shumtë dhe njëkohësisht prurjeve të shumta të lumit Shushicë është rrëzuar edhe ura e fshatit Kallarat, ku disa familje kanë ngelur të izoluara. Ndërkohë nga ana tjetër problematike është situata në Juglindje të vendit, ku trashësia e borës ka arritur në 70 centimetra, ndërsa disa fshatra të Pogradecit që prej 48 orësh janë pa energji elektrike.
Pra duket qartë se si paraqitet situata në vendin tonë edhe pas investimeve që qeveria ka pretenduar të ketë bërë duke përmendur këtu tenderat me vlera të ndryshme.
Sipas hetimeve lidhur me raportet e KLSH-së rezulton se në 5 vitet e fundit, nga qeveria janë bërë 78 tendera me vlerë totale 59 milionë Euro, vetëm për argjinatura e diga parandaluese pranë zonave të banuara; në gjatësinë e 12 lumenjve të mëdhenj, që kanë “histori” vërshimi e risk përmbytjeje.
I rëndësishëm është fakti se duhen hetuar ku kanë shkuar lekët e këtyre investimeve përderisa përmbytjet po vazhdojnë akoma, dhe sigurisht që ky fakt do të hetohet dhe do të zbardhet çdo gjë në lidhje me këto investime pa rezultate.
Këto tendera, janë bërë për investime parandaluese në disa zona rreziku të lumenjeve Buna, Drin, Kir, Mat, Fan; por dhe në lumenjtë Vjosë, Shkumbin, Seman, Devoll, Ishëm e Osum.
Në dosjet e qeverisë, këto investime figurojnë të kryera 100% e me cilësi të lartë; madje figurojnë dhe akt-kontrolle e raporte të marrjes së tyre në dorëzim nga agjencia e administrimit të ujërave. Mirëpo shiu që i përmbyti 100% zonat ku kalojnë këta lumenj, tregoi qartazi se janë bërë vetëm tenderët e janë hedhur disa kamionë me zhavorr të marrë po nga lumenjtë.
Kujtojmë se në janar të vitit 2010 dhe jo vetëm , në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat. Ndërsa në shkurt të vitit 2015 u përmbytën rreth 3,000 hektarë dhe mbi 600 banesa në pjesën perëndimore e jugperëndimore të vendit. Nga këto përmbytje u prekën rreth 42,000 persona, ndërsa rreth 600 familje u desh të evakuoheshin.