Një shtetas 34-vjeçar nga Shkodra, i identifikuar si Fatjon Guri, qarkullonte me armë zjarri në automjetin e tij dhe është prangosur nga Policia e Shtetit. Guri bëntë lëvizje të dyshimta me automjetin e tij, çka ka tërhequr fillimisht vëmendjen e policisë. Më pas, 34-vjeçari është ndaluar dhe pas kontrollit në makinën e tij, është gjetur një pistoletë me një krëhër të mbushur.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shkodër – Qarkullonte me armë zjarri me vete, lokalizohet dhe arrestohet nga Policia. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si rezultat i kontrolleve të befasishme të zhvilluara nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. G., 34 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër.
Gjatë patrullimit në lagjen “Liria”, Shkodër, shërbimet e Policisë pasi kanë konstatuar një automjet që kryente lëvizje të dyshimta, janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur ndalimin e drejtuesit dhe bllokimin e automjetit.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.