Kryeministri Edi Rama, ka realizuar mbrëmjen e sotme një lidhje me skype për “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano, i cili e pyeti Ramën nëse iu është nënshtruar analizave të koronavirusit.
Kreu i qeverisë tha se nuk ka bërë testin për COVID-19, pasi nuk e ka parë të nevojshme dhe të arsyeshme për t’iu nënshtruar këtij lloj testi sepse nuk ka simptoma.
Sipas kryeministrit, masat drastike që ka ndërmarrë në izolimin e qytetarëve do të mund të frenojnë përhapjen e koronavirusit dhe do të mund të shmangin katastrofën, teksa tha gjithashtu se 60 % e popullsisë do të preket nga koronavirusi pasi kjo është e pashmangshme por që do të shfaqet me simptoma të lehta për disa duke bërë që ata që do të preken të imunizohen nga COVID-19.
Biseda ne studio
Mustafa Nano: Mendoj se jeni kryeministri më i pafat i Shqipërisë, kam parasysh që ndodhi tërmeti pastaj kriza e koronavirusit.
Edi Rama: Gjyshja ime thoshte zoti zgjedh shpatullat mbi të cilat vendos gjërat e rënda. Është situatë e jashtëzakonshme. Nuk e ekzagjeroj nëse prapë do përsëris atë që kam thënë më shumë se 1 herë. Kur hap sytë në mëngjes më kujtohet e para gjë fjala e Lindon Johnson kur iu desh të dilte përpara popullit amerikan për ti dhënë lajmin e vrasjes së John Kenedit ku tha: do jepja me kënaqësi gjithçka që kam për të mos qenë unë këtu përpara jush! Mirëpo kjo është një barrë për t’u mbajtur dhe do çuar deri në fund.
Mustafa Nano: Për tu kthyer të kriza aktuale, unë pata një testim në familjen time. Dikush kishte temperaturë dhe u detyrova që edhe unë të bëj testin për të cilin rezultova negativ. Po ju keni bërë ndonjë testim?
Edi Rama: Jo. Mendoj se nuk duhet të testohet kush nuk ka simptoma, por gjithkush duhet të sillet njësoj sikur e ka koronavirusin. Që do të thotë se duke u testuar nuk është se ndryshon diçka.
Mustafa Nano: Për ta filluar me lajmin më të fundit në botën shqiptare. Sot në mëngjes doli informacioni zyrtar ku u njoftua se numri i të infektuarve është shtuar me 20 të tjerë, ndërkohë u tha se janë testuar më shumë se zakonisht. Kam frikë se sa më shumë të testohen aq më shumë do dalin, ju keni ndonjë ide sa mund të jetë numri i të infektuarve?
Edi Rama: Nuk kam një ide të tillë, por di që 60 % e njerëzve do ta marrin ose e kanë marrë. Virusi nuk ndalet virusi do bëj të vetën. Ajo që është e rëndësishme është që ne duhet ta ngadalësojmë përhapjen e tij dhe aspekti tjetër është që, duke e marrë virusin shumica dërrmuese faktikisht nuk ndjen asgjë dhe imunizohet. Nuk e di sa janë por di që patjetër që ka më shumë që e kanë se sa ata që janë të testuar. Ata që testohen janë njerëz që kanë simptoma përtej një kolle të thjeshtë apo një temperature të lehtë. Nëse ne do vazhdojmë të rezistojmë së pari do shmangim katastrofën dhe së dyti do fillojmë të mendojmë për lirimin e masave më shpejt se vendet e tjera.