Ditën e sotme konfindustria me anë të një deklarate zyrtare ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit te karburantet. Konfindustria i bëri thirrje politikës, Kuvendit dhe qeverisë që të marrin menjëherë masat për të lehtësuar pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve. Më tej thuhet se rritja e çmimeve të karburanteve rrezikon të marri përmasat e një krize të vërtetë energjetike dhe do të sjellë pasoja të pallogartishme për vendin.
Në deklaratë ndër të tjera thuhet se tregu i karburanteve në Shqipëri karakterizohet nga grupimet kartel dhe oligopol, që fillojnë nga shërbimet portuale, tregëtia me shumicë dhe pakicë dhe se biznesi e qytetarët përballen me kosto të fsheura mjaft të larta si pasojë e cilësisë së dobët e koncesioneve në sistem. “Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike shqiptare përfshi opozitën, Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë, të marrin sa më shpejt masat e nevojshme për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve. Rritja e çmimeve të karburanteve rrezikon të marri përmasat e një krize të vërtetë energjetike në vitin 2021-2022 me pasoja të pallogaritshme negative për vendin. Në mungesë të marrjes së veprimeve të shpejta dhe profesionale nga institucionet shtetërore biznesi, qytetarët dhe ekonomia kombëtare do të përballet me kosto shtesë nga rritja e çmimeve të importuara nga tregjet ndërkombëtare”,thuhet në njoftimin e Konfindustrisë.
Menjëherë pas deklaratës zyrtare që ka bërë Konfindustria, ka qenë kryeministri i vendit Edi Rama ai i cili ka paralajmëruar për krizën energjitike që sipas tij ka prekur të gjithë botën, e ku nuk përjashtohet as vendi ynë. Me anë të një mesazhi drejtuar qytetarëve Rama ka thënë se kriza nuk kërcënon jetë njerëzish, por mund të ketë efekte tronditëse.
“Nuk kërcënon jetë njerëzish, por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative, që mund të ketë efekte tronditëse. Kriza e energjetikës sapo ka nisur të japë shenjat e saj në tregjet botërore. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë, jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit po afron bashkë me dimrin dhe rritjen e natyrshme të nevojës për ngrohje.
Kjo krizë e re na vendos përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e pandemia. Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si dhe tregu i fortë i çmimit të naftës, paralajmërojnë një dimër të vështirë, që bota ka përpara.
Bota po përballet me çmime marramendëse. Çmimi i naftës është rritur me rreth 250%, ndërsa i gazit me 80%. Sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, deri në fund të vitit”, ka thënë Rama. Kryeministrin e vendit e kemi parë herë pas here që del në deklarata zyrtare dhe merr kopetencat e një qytetari të thjeshtë për të justifikuar problematikat e të cilat i kanë rrënjët shumë herë më të thella se kaq. Rama del në një deklaratë ku iu drejtohet qytetarëve të vendit për t’i treguar pasojat, por jo përgjejgjësit e këtyre pasojave dhe në këtë mënyrë heq përgjegjësitë nga vetja.
Në lidhje me këtë çështje dhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ka propozuar një plan me 7 pika që sipas tij do të nxjerrin vendin nga kriza.
Për kreun e qeverisë shqiptare kjo është një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare. Por Basha nuk mendon kështu, ai ka thënë se bota po përballet tani me këtë krizë, ndërsa vendi ynë sipas tij ka 8 vite që përballet me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburanteve.
“Ndaj prioritetet në këtë moment të parë janë të qarta dhe të domosdoshme:
1- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;
2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;
3- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;
4- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;
5- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
6- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.
7 – Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.”, plani me 7 pika që pka propozuar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar me anë të nënkryetarit Petrit Vasili, i cili ka thënë se kjo që po ndodh nuk është krizë e re energjitike, por sipas tij një plaçkitje e re e qytetarëve. Ndër të tjera ai ka shtuar se kjo krizë e re “apokaliptike”, vjen në një kohë që qeveria krenohet për arritjet në fushën e energjitikës.
“Duke pare deklaratat e meparshme dhe “sukseset bubulluese” ne energjitiken e Edi Rames kjo krize duket qarte qe eshte nje stisje per nje grabitje te re te xhepave te
qytetareve e per te mbushur arken e baderdisur te shtetit nga rilindja.
Arka e shtetit e boshatisur dhe plaçkitur nga milionat e grabitura per zgjedhjet,koncesionet, borxhet ndaj kompanive arbitrazhet e humbura dhe borxhi publik real prej gati 100%, kerkon tani qe te mbushet nga Rama.
Kjo nuk eshte krize e re, por plaçkitje e re e qytetareve.”, ka shkruar nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Kujtojmë se më 15 prill 2021 ka qenë kryeministri i vendit Edi Rama ai që deklaronte se:“Ne sdo harxhojmë asnjë lek më për të blerë energji, por do të shesim energji. Kjo nuk është një ëndërr e parë në gjumë”. Por çfarë ndodhi sot, pas thirrjes alarmante të Konfindustrisë? Rama deklaroi se nuk do të mbante asnjë përgjegjësi për rritjen e çmimit dhe u justifikua me faktin se “kjo ndodh në të gjithë botën”.