Nënkryetari i LSI, deputeti Petrit Vasili, ishte i ftuar ditën e sotme në rubrikën Opinion në televiozionin “News 24” ku komentoi zhvillimet e fundit politike.
Gjatë fjalës së tij Vasili tha se LSI nuk po bën përpjekje dhe as negociata për të krijuar një grup parlamentar në Kuvend, pasi sipas tij, koncepti i grupit është thjesht një burokraci parlamentare dhe një parti mund t’i vijojë betejat e saj edhe pa grup.
“Nuk na vjen keq që nuk kemi grup parlamentar, sepse koncepti i grupit parlamentar është thjesht burokraci parlamentare. Në Kuvend janë të gjitha hapësirat që ekzistojnë për debat e nisma. Ka zero pengesë për të zhvilluar një sesion intensiv. Ne s’kemi bërë dhe s’do të bëjmë lëvizje për krijimin e një grupi parlamentar, pasi kjo gjë nuk na bën të ndihemi të vetëm në sallë. Do ishte problem, nëse ne nuk do të përfaqësoheshim në parlament. Detyra jonë është të ngremë në parlament problematikat e qytetarëve. Nuk ka asnjë negociatë për krijimin e grupit parlamentar, madje edhe koha burokratike për këtë lëvizje ka përfunduar”, tha Vasili.
I pyetur për marrëdhëniet mes PD dhe LSI, Vasili nuk pranoi që mes dy partive opozitare të ketë krisje, duke shtuar se që të dyja partitë mbeten opozitare dhe kauza e tyre është e njëjtë, pavarësisht se secila parti mund ta shprehë atë në forma të ndryshme.
“Nuk jemi larg me njëri-tjetrin, jemi në sallën e parlamentit të vendosur në krahun opozitar. Edhe më parë, gjithmonë ka pasur momente kur partitë marrin vendimet e tyre sovrane. Ne kemi pasur raport tjetër kur ishte çështja e grevës, edhe kjo krijoi diskutim atëherë. Nuk ka vend për diskutim, çdo forcë opozitare zgjedh se cili është aksioni më i drejtë politik, ndërsa një forcë tjetër zgjedh një gjë tjetër. Ne nuk jemi një parti dhe s’do të jemi kurrë. Unë e them publikisht që kam votuar kundër kryetares së Kuvendit, ndërsa PD zgjodhi të merrte një vendim më spektakolar, të griste votën, por produkti i fronit opozitar në fund është i njëjtë. Ne nuk jemi PD dhe PD nuk është LSI. Sa i përket faktit që nuk jemi larguar nga salla e Kuvendit me PD, mund të them se ka disa momente, që kanë qenë krejt të improvizuara, të çastit. Tani nuk mund të ketë improvizime. Largimi nga salla apo qëndrimi nuk është një vendim kaq i madh politik. Kur një forcë politike në një moment, për shkak të indinjatës së saj, zgjedh të largohet, nuk do të thotë se do ta ndjekim, por e rëndësishme është që numrat mbeten prapë aq, që mazhoranca të mos ketë më shumë dhe kjo s’do të ndodhë. Ne jemi në opozitë të dyja palët, ka vetëm një garë. Edhe në zgjedhje ne konkurruam LSI në një anë, PD në anën tjetër. Ne kemi një qëndrim opozitarizmi të fortë e të vërtetë dhe besoj se këtë bën edhe PD. Kemi edhe kryetarin e një partie tjetër opozitare, siç ishte z.Dule, që zgjodhi të votojë”, tha Vasili.
Pse Kryemadhi nuk takohet me Bashën?
Unë nuk di që të ketë pasur asnjë lloj takimi të partive opozitare pas zgjedhjeve. Nuk kam parë asnjë njoftim publik që të ketë pasur takim të një formati të dikurshëm opozitar.
Cili është komenti juaj për programin e qeverisë?
Program nuk pati, ishte një sajesë e madhe demagogjike. Kemi arritur deri aty sa çështjet që janë ‘bubullimë’, si Teatri, Beccheti, koncesionet, etj. nuk preken. Kemi një sistem drejtësie në krizë shumë të madhe, ku as Gjykata e Lartë dhe as ajo Kushtetuese nuk janë plotësuar. Nëse nuk ka drejtësi dhe një ekonomi të mirë të çliruar nga kapja, do të kemi rrugë të florinjta. 170 milionë euro dalin nga xhepat e shqiptarëve për Covid-in dhe rimbursohen nga shteti jonë më shumë se 200-300 mijë euro. Pra, ky shtet i kapur për gryke, po nuk u çlirua, çdo gjë tjetër është për të legjitimuar kapjen deri në qelizat e jetës.
Vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, si e gjykoni?
Ky është një problem i brendshëm i PD dhe sigurisht i takon asaj ta zgjidhë. Unë kam vetëm këtë, PD është një parti që ka bërë histori në pluralizmin e Shqipërisë. Besoj se PD, sa i takon rezultateve, nuk kanë të krahasuar me tetë vitet e rilindjes, që me shëndetësinë, infrastrukturën, etj. PD ka gjithë eksperiencën e duhur dhe një pasuri të madhe personalitetesh, që do ta zgjidhin në rrugën e duhur. Një debat i madh vetëm zgjon energji të reja dhe shton tempujt e demokratizimit. Basha përgjigjet vetë për vendimet e veta, nuk mund të jem avokat i vendimeve të tij.
Ajo që thotë Berisha lidhur me sovranitetin besoj se në këtë pikë jemi të gjithë në një varkë, sovraniteti as mund të shitet, as të blihet dhe as të luhet me të. Kemi një kryeministër pazarxhi kufijsh për Shqipërinë e Kosovën, ka shitur gjithë sovranitetin e Shqipërisë, ndaj dhe sovraniteti sot është më i tronditur se kurrë. Pra, ky shqetësim madhor i Berishës, sigurisht që është kapur dhe nga ne, por me tonet dhe zërin e Berishës, i bën mirë vendit.
A besoni në pazare të mundshme Rama-Basha?
Unë kam vetëm një kriter, që nuk e negocioj, që çdo çështje që zhvillohet në tryezë, ka një zgjidhje, në të kundërt, çdo çështje që zhvillohet jashtë kornizës së transparencës, nuk do të jetë kurrë një zgjidhje. Transparenca duhet të jetë parësore.
Për çfarë do të luftojë LSI në parlament?
Do luftojmë për mbrojtjen e një seri kauzash të rëndësishme, që nga interesi publik. Thelbësore do të jenë tri shtyllat e kapjes së shtetit, duke nisur me drejtësinë, zgjedhjet dhe ekonominë. Ky është një mision i jetës sonë. Do ju bëmë emër dhe mbiemër problemeve, sa herë që t’i dallojmë.