Skip to content
Kryesore

KPA konfirmon shkarkimin e gjyqtares Klorinda Çela

· 1 min lexim

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 30 janar të lërë në fuqi shkarkimin e gjyqtares së Tiranës, Klorinda Çela, nga detyra.

Vendimi u mor unanimisht nga trupa e KPA e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit të ankimit të depozituar nga Çela.

Gjyqtarja Klorinda Çela u shkarkua nga detyra më 28 tetor 2021, pasi u konstatuan mungesa burimesh financiare për justifikimin e pasurive familjare dhe fshehje pasurie. Ajo u akuzua për kryerjen e deklarimit të rremë dhe për mosbashkëpunim gjatë procesit të vetingut, duke cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Çela ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe ka filluar punën si gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Nga viti 2013 deri në shkarkimin e saj, ajo ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e saj për çështje të pasurisë, por kërkesa u rrëzua nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë.