Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kërkuar formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke theksuar rëndësinë e një partneriteti të qëndrueshëm mes BE-së dhe qeverisë së re për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.
“Bashkimi Evropian ka nevojë për një partner të besueshëm dhe stabil në qeveri për të diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës,” deklaroi Orav gjatë një tryeze të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL, që kishte në fokus rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
Ai konfirmoi se procesi për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës tashmë ka nisur, gjë që e shton edhe më shumë nevojën për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e reja. Sipas Orav, vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të ecet përpara në agjendën evropiane.
Ndërkohë, ambasadori rikujtoi edhe një nga çështjet më delikate që vazhdon të mbetet në tryezë, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai e cilësoi këtë si një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e Brukselit dhe theksoi se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dialogut duhet të ndodhë pa vonesa.