Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar “Mission Failed”, ka arrestuar dy persona në aksin rrugor “Kapshticë- Bilisht” për transportimin e mallrave kontrabandë nga Greqia.
Të arrestuarit, Lytfi Nastimi dhe Xhoi Nallbati, të dy 24 vjeç, u kapën gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, ku u gjetën veshje të ndryshme të futura në Shqipëri pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në lidhje me këtë rast, janë proceduar penalisht edhe katër punonjës të Degës Doganore Kapshticë, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Ata janë D. Ç., Drejtor i Degës Doganore Kapshticë, V. N., përgjegjës turni, si dhe dy doganierët K. P. dhe R. M., të cilët dyshohen se kanë lehtësuar kontrabandën duke mos kryer veprimet e nevojshme për zhdoganimin e mallrave.
Gjatë operacionit, u sekuestruan dy automjete, tre celularë dhe mallrat e kontrabanduar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.