Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, paralajmëroi dje se Shqipëria mund të përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe shtetërore nëse nuk merren masa të menjëhershme për përballimin e rritjes së çmimit të karburanteve, të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Gjatë një interviste në studio televizive, Buxhuku deklaroi se situata është shumë e brishtë dhe se vendi rrezikon të futet në një recesion të thellë ekonomik, me pasoja që, sipas tij, mund të shkojnë deri në kolaps dhe destabilizim të shtetit.
Ai tha se Shqipëria nuk mund të qëndrojë në rolin e spektatorit përballë një zhvillimi që prek drejtpërdrejt ekonominë dhe sigurinë kombëtare, sidomos në një vend që, sipas tij, nuk ka bujqësi dhe prodhim të mjaftueshëm për të përballuar goditje të tilla.
Buxhuku theksoi se, përveç deficitit prej mbi 5 miliardë eurosh, vendi po përballet edhe me pasojat e konfliktit në Iran, ndërsa shtoi se çmimi i karburantit është rritur me 25 për qind, nga 174 në 217 lekë. Sipas tij, kjo rritje sjell humbje prej 2 për qind të prodhimit kombëtar në vit, vetëm nga efekti i karburantit, pa llogaritur faktorë të tjerë që rëndojnë ekonominë.
“Rrezikon seriozisht të kalosh në kolaps e destabilizim shtetin. Pra s’mund të kesh para, kalon në krizë. Një ditë të bukur mund të gdhihesh e të gjendesh në këtë situatë”, u shpreh Buxhuku.
Ai shtoi se edhe në rast se arrihen marrëveshje mes palëve në konflikt, situata do të mbetet e paqëndrueshme dhe çdo qetësim do të ishte vetëm i përkohshëm. Në deklaratën e tij, Buxhuku u ndal edhe te roli i SHBA-ve në Lindjen e Mesme, duke thënë se qëllimi kryesor është ruajtja e forcës së dollarit përballë tronditjeve të tregjeve globale.
“Karburanti është malli për të cilin bëhen luftërat në botë, janë bërë dhe bëhen”, deklaroi ai, duke theksuar se zhvillimet aktuale përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për tregun botëror dhe për ekonomitë e brishta si ajo shqiptare.








