Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar të dhënat e sondazisht që ka zhvilluar me gazetarë sa i përket lirisë së medias dhe punës së gazetarëve në Shqipëri. Në sondazh trajtohen kushtet e punës, liria profesionale dhe pereceptimi i gazetarëve mbi lirinë e medias në përgjithësi.
“Në Dhjetor të vitit 2019, parlamenti miratoi dy ligje pjesë e paketës “antishpifje”. Kjo paketë u kritikua që në fazat e hershme të hartimit të saj nga organizatat e shoqërisë civile dhe ato të medias, të cilat shprehën shqetësimin për kërcënim ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes . Këshilli i Evropës kritikoi ligjin për parametrat e tij të paqartë dhe potencialin e tij për të penguar raportimin në internet… “Paketa” ka mbetur e pamiratuar tërësisht, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias për modifikimin e saj”, thuhet në raport.
Më tej theksohet se “Freedom House” në raportin e vitit 2021, konstaton se “gazetarët kanë pak siguri në punë dhe vijojnë të paditen, kërcënohen apo sulmohen fizikisht në mënyrë të herë pas hershme nga ata që ndeshen me kontrollin e medias. Media e shkruar vijon të përballet me rënien e të ardhurave, çka ka ulur pagat e gazetarëve”.
Pjesë nga raporti:
- Liria sindikale
Një shumicë dërrmuese e punonjësve të medias mendojnë se rritja profesionale dhe sindikalizmi do të ndihmonin gazetarët dhe do të përmirësonin lirinë e medias dhe kushtet e punës. Punonjësit e medias pohojnë se duhet të kenë një sindikatë për të mbrojtur të drejtat e tyre në punë dhe kushte më të mira të punës. Konkretisht, 197 apo 98.5% e të anketuarve ishin pro ngritjes së saj.
- Informaliteti në punë
68.8% e të anketuarve pohuan se punojnë bazuar në një kontratë të rregullt pune, ndërsa pjesa tjetër prej 30.2% u përgjigjën se nuk kanë një kontratë të rregullt pune apo nuk kanë informacion për marrëdhënien e tyre kontraktuale.
- Bullizimi/tallja në vendin e punës
11.5% e të anketuarve pohuan se ishin bullizuar/tallur gjatë punës apo për shkak të saj, në ambientin e punës. Në këtë kategori, shumica e tyre pohuan se kishin më shumë se 10 vite përvojë në punë dhe se sjelljet e bullizmit kishin ndodhur në vitet e para të karrierës.
- E drejta për pushime javore dhe vjetore
Kodi i Punës parashiokon të drejtën e punëmarrësve për pushime javore dhe vjetore, ku nga anketimi rezulton se: – 59% e të anketuarve deklarojnë se punojnë 6 ditë në javë, ndërkohë që 18% e të anketuarve deklarojnë se nuk bëjnë asnjë ditë pushim. – 63.5% e të pyeturve deklaruan se bëjnë 14 ose 15 ditë pushim në vit, ndërkohë që vetëm 16.5% e tyre gëzojnë efektivisht pushime të plota vjetore.
- Kërcenimet për shkak të punës
Të dhënat e Barometrit evidentojnë raste të shpeshta të kërcënimit fizik dhe verbal ndaj gazetarëve e punonjësve të medias, çka ndikojnë në prezencën e një klime vetë-censure ndaj medias në vendin tonë. Përkatësisht, 33 % e të pyeturve raportuan se ishin kërcënuar fizikisht për shkak të punës apo gjatë kryerjes së saj, ndërkohë që 51.5% raportojnë kërcënime verbale. Të anketuarit tregojnë se janë sulmuar apo ndjerë të kërcënuar prej punonjësve të policisë, protestuesve, personave të dyshuar për lidhje me botën e krimit dhe nga subjekte të tjera (si psh personat e përfshirë në konfliktet që raportoheshin mediatikisht, pasi kanë tentuar tu marrin apo dëmtojnë mjetet e punës). Shqetësues në të gjitha rastet e mbetet fakti se autorët e dhunës nuk janë ndëshkuar.
- Stresi dhe situata traumatike
Shqetësues është fakti se mbi 88 % e punonjësve të medias raportuan nivele të larta stresi për shkak të punës. Një pjesë e mirë e tyre, 79.5 % raportuan se kishin mbuluar dhe raportuar ngjarje, të cilat u kishin krijuar tronditje të fortë psikologjike. Por pavarësisht nga këto shifra, vetëm një pjesë e vogël, 10% pranuan se kishin kërkuar ndihmë mjekësore apo psikologjike.
- Censurë dhe vetëcensurë
Lidhur me rastet e censurës apo vetëcensurës të dhënat e raportuara tregojnë një klimë tkurrëse të lirisë së medias në vendin tonë. Përkatësisht, 49.5% e të anketuarve pohuan se u ishte kërkuar direkt apo përmes redaktorit apo kryeredaktorit të mos publikonin një lajm. Këto raste sipas tyre lidhen me interesa të punëdhënësit sa i takon ndikimeve të rrethit shoqëror, biznesit dhe në raport me funksionarë publikë apo përfaqësues të institucioneve shtetërore. Në një nivel pak më të lartë paraqiten perceptimet për rastet e vetë-censurës, ku 52% e të anketuarve pohuan kishin shmangur raportimin e një lajmi, për shkak se kishin menduar se ai nuk do i pëlqente punëdhënësit. Shumica e të anketuarve që janë vetë-censuruar kanë mohuar se kjo lidhej me pasigurinë për vendin e punës apo zgjidhjes së kontratës nga punëdhënësi.
Raportin e plotë e lexoni këtu