Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar projektligjin “Për garantimin e pastërsisë së figurës të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” duke thënë se çdo funksionar duhet t’i nënshtrohet procesit për verifikimin e figurës, i ashtuquajturi ligji i lustracionit. Në Komisionin e Ligjeve, Alibeaj tha se nuk duhet që ligje kaq të rëndësishme të shndërrohen në akte të luftës politike, duke e cilësuar si gabim historik që është bërë gjithmonë në politikën shqiptare.
“Ajo që unë doja të thoja është fakti që kur bëhet fjalë për dekomunistizim, për procesin e dënimit të diktaturës komuniste, e mira por edhe praktika e Europës lindore do të duhet të sjellë një paketë të plotë. Nuk kemi sjellë pjesë të vogël projektligji por paketë të plotë. Përveç ligjit të hapjes së dosjeve kemi paraqitur edhe një projektligj tjetër për burgun e Spaçit dhe për propagandën komuniste e i fundit është ky. Besoj që është e udhës që për çështje të ndëshkimit publik për hapjen e dosjeve, jo vetëm publiku duhet të njihet për atë që ka ndodhur në dosjen e ish Sigurimit por edhe institucionet të reagojnë. Ajo që do të doja të thoja është që kurrsesi nuk duhet që ligje kaq të rëndësishme të shndërrohen në akte të luftës politike. Ligje si hapja e dosjeve dhe lustracioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve. Ky ka qenë gabimi historik që është bërë gjithmonë. Është detyrim ndaj së shkuarës, por mbi të gjitha detyrim i së ardhmes. Mos e bëni siç e bëtë me hapjen e dosjeve disa muaj më parë, e mbi të gjitha ajo çështje që ju vuri në lëvizje për hapjen e dosjeve, të çohet deri në fund, për të treguar seriozitetin tuaj(dhe të Autoritetit të dosjeve. Edhe personazhi i skandalit McGonigal, Agron Neza nuk është gjë tjtër veçse një ish sigurims,”-tha Alibeaj.
Po ashtu, në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj ka dhënë detaje në Komisionin e Ligjeve se çfarë parashikon projektligji i propozuar nga PD, duke bërë me dije se kushdo që zgjedh të mos i nënshtrohet kontrollit, mund të largohen në heshtje dhe çështja të mos bëhet publike. Por po ashtu, procesi i verifikimit të fuknsionarëve të lartë duhet të jetë publik, jo një proces pas dyerve të mbyllura.
“Nuk bëhet ky ligj për hakmarrje por për të treguar të vërtetën dhe për t’i ndaluar atyre njerëzve që kanë kryer krime të jenë të veshur sot me veladorin e funksionarit publik. Për çdo funksionar nga Presidenti deri te më i fundit që do e ketë detyrim t’i nënshtrohet këtij procesi, nëse ka kurajo intelektuale se e di çfarë ka bërë në atë kohë dhe zgjedh të mos i nënshtrohet, duhet të largohet nga detyra ka dhe një benefit të vogël, çështja nuk bëhet publike. Këta individë me heshtjen e tyre të mos përdoren metoda të diktaturës së linçimit, secili vijon punën e vet dhe nuk i qaset më funksionit publik. Çdo individ që zgjedh të mos bëjë çështjen e vet publike, ka detyrim për të bërë rrëfim për atë që ka ndodhur se e vërteta do të duhet të dalë e dokumentohet. Masa e ndalimit që individë të tillë të mos jenë në administratë publike të jetë 15 vite. Kushdo që është i pakënaqur nga vendimmarrja e Autoritetit përkatës, mund t’i drejtohet gjykatës dhe kjo është diçka e pamohueshme dhe i jepet edhe kriminelit më të zi,”-shtoi demokrati në fjalën e tij.
Ndërkohë që deputetja e PS-së, Ermonela Felaj tha se: Siç vepruam me ata që kanë patur rekorde kriminale, të veprojmë edhe për ata që kanë patur rekorde bashkëpunimi me ish sigurimin e shtetit. Partitë politike, kryetar të mos jetë një person ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, bëhet verifikimi nga KQZ, dhe nëse refuzon nuk kandidon dot.
PROJEKTLIGJI I PROPOZUAR NGA PD:
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë pastërtinë e figurës së organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet ndalimit të zgjedhjes ose emërimit, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët rezultojnë pjesëmarrës në strukturat e regjimit totalitar komunist në periudhën 29 nëntor 1944 deri më datë 31 mars 1991, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit deri më 2 korrik 1991.
2. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore, të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë publike të zyrtarit, për shkak të qënies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor i strukturave të larta drejtuese të regjimit totalitar komunist dhe ish-Sigurimit të Shtetit, organi kompetent për kryerjen e verifikimit, procedurat e verifikimit dhe pasojat e këtyre procedurave.
Neni 2
Parime të përgjithshme
1. Veprimtaria e organeve shtetërore për verifikimin e pastërtisë së figurës dhe dhënies së sanksioneve udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë, procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së informimit.
2. Organet shtetërore veprojnë në mënyrën që i shërben më mirë ndërgjegjësimit publik për historinë e regjimit totalitar komunist dhe realizimit të paqes sociale.
3. Në ushtrimin e funksioneve të tyre sipas këtij ligji, organet shtetërore respektojnë dhe garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sidomos dinjitetin njerëzor.
Neni 3
Ndalimi për kandidim, zgjedhje dhe emërim në një funksion të lartë publik
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në cdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët, në periudhën e përcaktuar në pikën 1 të nenit 1, figurojnë si:
a) anëtar ose kandidat të Byrosë Politike;
b) anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë;
c) anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor;
ç) anëtar i Këshillit të Ministrave dhe zevendësministra;
d) kryetar i degës së punëve të brendshme;
dh) anëtar i Komisionit Qëndror të Dëbim Internimeve;
e) kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;
ë) hetues, prokuror ose ndihmësprokuror, gjyqtar ose ndihmësgjyqtar, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar;
f) anëtarë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kuptimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
2. Ndalimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, zbatohen edhe për personat, të cilët kërkojnë të zgjidhen apo emërohen në funksionet publike si më poshtë:
a) President i Republikës;
b) Zëvëndësministra, funksionarë politikë, sekretarët e përgjithëshëm, drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në administratën publike, drejtorët e agjencive në varësi të Këshillit të Ministrave dhe të ministrive, njësitë e vetëqeverisjes qëndrore, shoqëritë me kapital shtetëror dhe pozicione të barasvlershme me to;
c) anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjyqtarët në gjykatat e të gjitha niveleve;
ç) anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokurorët në prokuroritë e të gjitha niveleve;
d) gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;
dh) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
e) prefektë;
ë) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe cdo njësie tjetër të inteligjencës;
f) drejtues dhe punonjës në Policinë e Shtetit, përfshi agjencinë përgjegjëse për kontrollin e brendshëm dhe akademinë e sigurisë;
g) drejtues të përfaqësive diplomatike;
gj) guvernatorë, zëvëndësguvernatorë dhe anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë;
h) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvëndësrektorë, dekanë dhe zëvëndësdekanë në universitetet publike;
i) Drejtorë dhe zëvëndësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
j) Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët në zyrën e tij;
k) Drejtori dhe pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës;
l) cdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
3. Ndalimet e parashikuara në pikën 1, gërmat “ë” dhe “f”, zbatohen duke vlerësuar dhe individualizuar veprimtaritë konkrete të kryera nga ana e personit, si dhe vullnetin e tij gjatë kryerjes së këtyre veprimeve.
4. Personat, të cilët aktualisht ushtrojnë funksionet publike të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, i nënshtrohen verifikimit të kushteve ndaluese sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 4
Përjashtimi nga përgjegjësia
1. Përjashtohen nga përgjegjësia sipas këtij ligji personat, të cilët vërtetojnë se kanë kryer veprimtari të ndaluara të parashikuara në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji, për shkak të kanosjes apo shtrëngimit, që e ka vendosur atë përpara detyrimit për të shmangur një rrezik serioz për vete ose familjarët e afërt të tij. Barra e provës për të vërtetuar kanosjen ose shtrëngimin i takon subjektit.
2. Personat që në datën 2 korrik 1991 nuk kishin mbushur moshën 18 vjec përjashtohen nga zbatimi i këtij ligji.
Neni 5
Kohëzgjatja e ndalimit
1. Për personat, që përmenden në pikat 1 dhe 2 të nenit 3, të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo emërim zgjat 15 vjet.
2. Llogaritja e periudhës së ndalimit fillon nga data e marrjes së vendimit nga organi kompetent për verifikimin.
3. Në cdo rast, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo emërim nuk mund të zgjasë përtej datës 1 janar 2037.
KREU II
PROCEDURA E VERIFIKIMIT
Neni 6
Organi kompetent
1. Organi kompetent për verifikimin e personave që kërkojnë të zgjidhen ose emërohen, apo që aktualisht ushtrojnë funksionet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të nenit 3 të këtij ligji, është Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (“Autoriteti”), i cili organizohet dhe funksionon sipas ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
2. Në procedurat e verifikimit të pastërtisë së figurës dhe të dhënies së sanksioneve, dispozitat e këtij ligji kanë përparësi ndaj ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Neni 7
Procesi individual
Procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës dhe ai i dhënies së sanksioneve është i individualizuar për cdo subjekt të këtij ligji, në drejtim të përcaktimit të fakteve, pasojave të dëmshme ndaj të tretëve, qëndrimit që ka mbajtur subjekti, rrethanave përjashtimore dhe atyre lehtësuese.
Neni 8
Vetëdeklarimi i subjekteve
1. Subjektet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të nenit 3, të këtij ligji, që janë në detyrë në kohën e hyrjes së këtij ligji, duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Formulari dorëzohet pranë Autoritetit nga vetë subjekti.
2. Cdo kandidat për funksionet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të nenit 3, të këtij ligji, përpara zgjedhjes apo emërimit në detyrë, plotëson formularin e vetëdeklarimit. Formulari depozitohet pranë organit të emërtesës apo titullarit të institucionit. Këta të fundit janë të detyruar të dërgojnë menjëherë formularin e vetëdeklarimit pranë Autoritetit.
3. Në rastet e kandidatëve për deputetë, kryetarë bashkie, anëtarë të këshillave bashkiakë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, formulari i vetëdeklarimit dorëzohet pranë subjektit politik që propozon kandidatin.
4. Në rastin e kandidatëve të pavarur, formulari i vetëdeklarimit dorëzohet nga vetë kandidati pranë Autoritetit.
5. Subjekti politik ka detyrimin që sa më shpejt të jetë e mundur, pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës dhe në do rast jo më vonë se 3 ditë nga depozitimi zyrtar i listave, të kërkojë nga Autoriteti kryerjen e verifikimit të figurës për kandidatët e saj. Numri i kandidatëve për të cilët kërkohet verifikimi mund të jetë më i madh se numri i pozicioneve.
6. Formulari përmban së paku një përshkrim të saktë të pozicioneve të mbajtura nga subjekti gjatë regjimit totalitar, veprimtaritë e kryera, gjeneralitetet dhe pseudonimin e përdorur, kohën dhe ushtrimin e veprimtarive, si dhe nëse këto veprimtari janë kryer me vullnetin e personit. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit.
7. Në rast refuzimi të dorëzimit të formularit, subjekti trajtohet sikur të ketë pohuar veprimtari të ndaluar sipas këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara në formular përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.
Neni 9
Verifikimi i subjekteve
1. Pas dorëzimit të formularit, Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të pastërtisë së figurës. Radha e verifikimit ndjek hierarkinë e funksioneve publike. Me kërkesë të motivuar të një partie politike parlamentare ose të 500 zgjedhësve, një subjekt verifikohet me përparësi nga Autoriteti, pavarësisht pozicionit që ai mban në hierarkinë e funksioneve publike.
2. Për kryerjen e verifikimit, Autoriteti përdor burimet e saj arkivore, si dhe cdo burim tjetër të nevojshëm. Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithëshme e Burgjeve, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo cdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të dërgojnë pranë Autoritetit, brenda 7 ditëve nga marrja e kërkesës, kopje të njëhsuar me origjinalin të materialeve arkivore të kërkuara nga Autoriteti.
3. Pas administrimit të të dhënave, dokumenteve dhe materialeve të nevojshme, sekretariati teknik i Autoritetit përgatit një relacion. Relacioni duhet të përmbajë qënien ose jo të subjektit në një nga pozicionet e përshkruara në pikën 1, të nenit 3, të këtij ligji, veprimtaritë e kryera nga subjekti në këtë cilësi, si dhe të dhënat që rezultojnë lidhur me vullnetin e personit gjatë kryerjes së këtyre veprimeve. Në rastin e subjekteve të përcaktuara në nenin 3, pika 1, gërmat “ë” dhe “f”, relacioni duhet të individualizojë veprimet konkrete të kryera nga subjekti dhe pasojat e dëmshme që i kanë ardhur të tretëve.
4. Relacioni i përcillet menjëherë për njohje subjektit të verifikimit. Brenda 7 ditëve, subjekti ka të drejtë të paraqesë qëndrimin e tij, të shoqëruar me prova, që kundërshtojnë apo mbështesin relacionin. Me kërkesë të motivuar të subjektit, Autoriteti e zgjat afatin edhe 5 ditë të tjera. Me kërkesë të motivuar të subjektit për pamundësinë e paraqitjes së një prove, Autoriteti mund të urdhërojë një person të tretë ose një institucion ta paraqesë provën, kur çmohet e nevojshme për zgjidhjen e cështjes.
5. Autoriteti shqyrton relacionin e përgatitur nga sekretariati në seancë publike. Data, ora dhe vendi i seancës i njoftohet subjektit jo më vonë se 48 orë përpara seancës.
6. Subjekti paraqitet personalisht në seancë dhe ka të drejtë të përfaqësohet me avokat. Ky i fundit mund ta përfaqësojë subjektin edhe në mungesë të tij.
7. Pas celjes së seancës, njëri nga anëtarët e Autoritetit, i caktuar me short si relator, bën prezantimin e relacionit dhe më pas fjala i jepet subjektit të verifikimit për të paraqitur qëndrimin e tij.
8. Pasi dëgjohet subjekti, administrohen provat e paraqitura, i jepet fund shqyrtimit dhe anëtarët e Autoritetit tërhiqen për vendim.
Neni 10
Tërheqja e subjektit nga funksioni
1. Subjekti në verifikim mund të tërhiqet nga funksioni, duke kërkuar që rasti i tij të mos bëhet publik. Në këtë rast, Autoriteti komunikon me organin e emërtesës dhe vendos ndërprerjen e procedurës pasi njoftohet për përfundimin e marrëdhënieve të punësimit për shkak të tërheqjes, duke urdhëruar edhe mospublikimin e rastit.
2. Nëse nga veprimtaria e subjektit i është shkaktuar dëm të tretëve, mospublikimi vendoset nëse subjekti me aktin e tërheqjes, paraqet edhe një letër pranimi mbi faktet dhe ndjesë për të dëmtuarit, e cila nuk bëhet publike.
Neni 11
Pendesa e subjektit
1. Nëse subjekti në verifikim, para dhënies së vendimit nga Autoriteti, paraqet pendesë për veprimet e kryera, ajo duhet të përbëjë një rrëfim të detajuar të të gjithë veprimtarisë. Akti i pendesës dokumentohet dhe administrohet nga Autoriteti. Vërtetësia e tij verifikohet dhe publikohet nga Autoriteti.
2. Kur akti i rrëfimit verifikohet të jetë i vërtetë, subjekti përfiton përgjysmimin e kohës së ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike. Për funksionarët e zgjedhur apo që kërkojnë të zgjidhen gjatë periudhës së ndalimit duhet të përfshihen së paku një proces zgjedhor, vendor apo i përgjithshëm.
Neni 12
Vendimi i Autoritetit për subjektet në detyrë
1. Në përfundim të shqyrtimit, Autoriteti, me shumicën e votave, vendos:
a) pajtueshmërinë e subjektit dhe konfirmimin në detyrë;
b) papajtueshmërinë e subjektit dhe dërgimin e vendimit pranë organit kompetent për fillimin e procedurës për shkarkimin e subjektit nga detyra. Vendimi për papajtueshmërinë e subjektit merret pas një vlerësimi tërësor të pozicionit të personit, veprimtarive konkrete të kryera dhe vullnetin e personit gjatë kryerjes së këtyre veprimtarive.
c) kohëzgjatjen e periudhës së ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.
2. Vendimi i arsyetuar i njoftohet subjektit dhe organit të emërtesës apo titullarit të institucionit, brenda 15 ditëve nga marrja e tij. Vendimi i arsyetuar përmban detyrimisht edhe mendimin e pakicës.
3. Organi përgjegjës për shkarkimin e subjektit nga detyra është i detyruar të përfundojë procedimin disiplinor të subjektit brenda 30 ditëve.
Neni 13
Vendimi i Autoritetit për subjektet përpara fillimit të detyrës
1. Në përfundim të shqyrtimit, Autoriteti, me shumicën e votave, vendos:
a) pajtueshmërinë e kandidatit dhe vijimin e procedurës për zgjedhjen ose emërimin e tij;
b) papajtueshmërinë e kandidatit dhe ndërprerjen e procedurës për zgjedhjen ose emërimin e tij. Vendimi për papajtueshmërinë e kandidatit merret pas një vlerësimi tërësor të pozicionit të personit, veprimtarive konkrete të kryera dhe vullnetin e personit gjatë kryerjes së këtyre veprimtarive.
c) kohëzgjatjen e periudhës së ndalimit të kandimit për funksioneve publike.
2. Vendimi i njoftohet menjëherë kandidatit dhe kërkuesit të verifikimit, ndërsa arsyetimi brenda 15 ditëve nga marrja e tij. Vendimi i arsyetuar përmban detyrimisht edhe mendimin e pakicës.
Neni 14
Kohëzgjatja e procedurës së verifikimit
1. Në rastin e procedurës për subjektet në detyrë, Autoriteti duhet të marrë një vendim përfundimtar brenda 45 ditëve nga momenti i fillimit të verifikimit.
2. Në rastin e subjekteve përpara fillimit të detyrës, Autoriteti duhet të marrë një vendim përfundimtar brenda 30 ditëve nga momenti i fillimit të verifikimit.
3. Me qëllim marrjen e një vendimi brenda afateve ligjore, subjektet politike janë të detyruara të kërkojnë verifikimin e kandidatëve të tyre menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.
Neni 15
Transparenca për publikun
1. Procesi i verifikimit është publik, përvecse kur verifikohen kushtet e nenit 10 të këtij ligji.
2. Autoriteti bën publik në faqen e tij zyrtare në internet të gjitha vendimet e tij, të marra në përputhje me nenet 5 dhe 6 të këtij ligji, duke anonimizuar ato të dhëna që lidhen me persona që nuk janë subjekt i verifikimit apo që përfitojnë nga e drejta e mospublikimit.
3. Rregullat e detajuara për anonimizimin dhe publikimin e vendimeve përcaktohen me vendim të Autoritetit.
KREU III
E DREJTA E ANKIMIT
Neni 16
Ankimi
1. Subjekti i verifikimit, një parti politike parlamentare, 10 deputetë, Avokati i Popullit ose një organizatë që merret me cështjet e dekomunistizimit mund të bëjë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit.
2. Gjykata shqyrton ankimin e subjektit sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar.
3. Kundër vendimit të Gjykatës, subjekti i verifikimit mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afateve të përcaktuara në ligj.
4. Paraqitja e ankimit në gjykatë nuk pezullon ekzekutimin e vendimit.
Projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit, pasi nuk krijon organe të reja shtetërore, por iu ngarkon atyre ekzistuese, veçanërisht Autoritetit të Dosjeve, disa funksione shtesë. Nëse si rezultat i këtyre funksioneve, Autoriteti vlerëson se do të ketë nevojë për burime njerëzore dhe infrastrukturore shtesë, atëherë duhet t’i propozojë Kuvendit rishikimin e strukturës, organikës dhe buxhetit të Autoritetit.