Pas përfundimit të Konferëncës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla ka dalë në një prononcim për mediat.
Gjatë deklaratës së tij ai theksoi se do të vijontë diskutimi në tryezë me opozitën sa i takon kërkesës për ngritjen e disa komisioneve hetimore dhe ndërkohë ka kërkuar që të ketë një numër të ulët të deputetëve që do të jenë të pranishëm në komisione. Ndër të tjera ai nuk ngurroi pa përmendur edhe një nga çështjet dhe më kryesore siç është dhe vaksinimi ku ai shtoi se deputetët që do të jenë pjesmarrës nëpër komisione duhet të jenë të vaksinuar dhe në rastin e kundërt kur nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine do ju duhet të paraqesin test negativ jo më pak se 48 orë.
Një pjesë e deklaratës së Taulant Ballës:
“Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument në duart e Kuvendit dhe natyrshëm edhe të opozitës për të hetuar çështje që pikësëpari kanë një interes publik por natyrshëm objekti i hetimit dhe puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm. Parashikimet në Kushtetutë janë rregulluar dhe vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka parashikuar që në njërin krah është ngritja e komisioneve dhe në anën tjetër parashtrimit të nevojës së hetimit. Kërkesat u depozituan në fund të javës që shkoi, ato kanë hyrë në diskutimin e Konferencës së Kryetarëve. Do të nisim një proces diskutimi me opozitën për objektin e këtyre komisioneve për të arritur një konsensus për atë që është propozuar. Unë kam propozuar që numri i këtyre anëtarëve mos të jetë kaq i madh. Mund t’ju them se sa më i vogël të jetë numri i komisionerëve aq më punë efektive bëhet.
Është marrë në shqyrtim një kërkesë nga deputeti i Lsi-së Pterit Vasili për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit. Në këtë aspekt, mendoj se ne kemi arritur që me konsensus sot të fusim diskutimet për komisionet në rrugën e duhur. Ndërkohë që po ashtu, gjej rastin t’i falënderoj deputetët e opozitës që ranë dakord dhe për projektvendimet e iniciuara prej meje për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes së komisioneve, duke vendosur komisionet në të njëjtën linjë me universitetet, me shkollat. Pjesëmarrja në komisione do të jetë fizike, por me kushtin që deputetët të paraqesin certifikatë e vaksinimit apo dhe test negativ jo më vonë se 48 orë. Tashmë jemi në kushtet e vijueshmërinë normale.”, tha ai.
Pyetje; A ka konsensus për vettingun me opozitën për të shtyrë afatet për anëtarët e KPK?
Dua që të fillojmë diskutimet që sot. Duhet t’i kishim nisur që dje. Me dëshirën e mirë që kjo çështje mos të jetë pjesë e një pakete por urgjenca që kemi për të të na çojë te depozitimi sa më herët. Ekspertë tanët po punojnë për hartim, pasi bëhet fjalë për një ndryshim të një fjalie të vetme, që i ‘hap’ çelësat në Kushtetutë, që pas 22 qershor 2022 të shtyhet për 2 vite. Edhe grupi i PD dhe grupet e tjera të opozitës shpresoj që ta mbështesin këtë propozim. Ju e dini se kjo kërkon një kohë 45 ditore. Dua, flas në emër të grupit të PS, që këto ndryshime të kenë ndodhur deri në Krishtlindjet e këtij viti.