KLP dënon ashpër sulmin ndaj prokurorit të Vlorës, mbrojtje e posaçme për Kuliçin dhe familjen e tij

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme, pas sulmit me tritol ndaj makinës së prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi.

KLP ka dyshime të forta se ngjarja e sotme lidhet me detyrën e prokurorit dhe synon të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në luftën ndaj krimit.

Këshilli mori vendimin për t’i siguruar mbrojtje të posaçme prokurorit dhe familjes së tij.

Më tej u kërkua nga organet ligjzbatuese, që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë.

KLP inkurajon prokurorin Kuliçi që të vijojë luftën ndaj krimit, ndërsa bën me dije se do të ndjekë me vëmendje hetimin.

Deklarata e plotë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.

Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit.

Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit.

Shpërndaje
Share.

Komento