Policia e Durrësit ka reaguar lidhur me ngjarjen e transmetuar në emisionin “Stop”, ku një 51-vjeçar nga Durrësi ishte denoncuar për ndjekje dhe kërcënim të fëmijëve të tij për hakmarrje, pas dënimit që kishte vuajtur për abuzim seksual ndaj vajzës së tij.
Shtetasi Skënder Kurti është arrestuar nga policia dhe akuzohet për veprën penale “Dhuna në familje”.
Familja prej 4 anëtaresh nga Shkafana e Durrësit jeton mes Shqipërisë dhe Italisë dhe po përballej me situata makabre. Vajza e kësaj familjeje denoncoi të atin Skënder Kurti për abuzim seksual me të, ndërsa jetonin të dy në Itali, në pritje për ardhjen e nënës dhe vëllait.
Kur ishte 14-15 vjeç, vajza iu drejtua organeve kompetente dhe për të u kujdes shërbimi social në Itali, ndërsa babai vuajti 7 vjet burgim. Mamaja dhe vëllai i vogël e marrin vesh ngjarjen pas disa javësh nga një komshi në Itali pasi motra nuk po përgjigjej në telefon.
Djali i familjes, Xhemal Kurti, tani 19 vjeç deklaroi se e kishte parë të atin vetëm 3 herë, ku edhe në ato raste, Skënderi ishte i dhunshëm.
Pas dënimit, Skënderi u deportua në Shqipëri, ku nisi të përndiqte dhe dhunonte familjarët e tij.
“Edhe ditën e takimit mos kujto, deri në vdekje, është hera e fundit…. Jo më blloko, po bë ça të duash se do të bllokoj unë ty! Është hera e fundit, që po të them: unë, kur të takoj ty siç më ke godit unë do të godas. Në çdo lloj momenti të jetës time, vdekjen unë e du po jo vetëm, vetëm me ty! Këtë e di fort mirë, t’u plas si dinamit në bark, aq fort të du se prapë nuk e ndërro rrugën! Plaç ti megjithë ta, megjithë vëllain tat, megjithë nënën tate! Ditën që do vish afër meje do shofësh do ta tregoj unë, kush jam se do ta shkul zemrën, siç ma shkule! E poshtër! O mashtruese! Femër e qelbët, që ke filluar tu i fut gishtat në p*dh që 12 vjeçe..! Mendoje moj shk**dhatë*, moj b*çe, mendoje moj qelbësirë, se kam për ta gri mishin..!”, i ka shkruar ai mesazh vajzës së tij.
Në vitin 2024, Xhemal Kurti, djali i Skënderit, shkoi te gjyshja nga babai, ku u sulmua nga i ati dhe ishte i detyruar të përdorte një tullë për t’u mbrojtur. Si pasojë, ai u arrestua dhe u dënua me 1.5 vjet burg, duke qëndruar në qeli për 3 muaj.
Pas daljes nga burgu, Xhemali kaloi një vit të vështirë në Shqipëri, duke punuar me ndihmën e një shoku, por babai i tij vazhdoi ta përndiqte.
Përndjekjen e tij e konfirmoi edhe pronari i biznesit ku punonte Xhemali, i cili tha se Skënderi nuk e linite të qetë.
Gazetari i “Stop” intervistoi Skënderin, i cili shprehu hapur hakmarrjen dhe përndjekjen ndaj djalit të tij, duke e akuzuar për denoncimin që vajza e tij kishte bërë ndaj tij në vitin 2015 në Itali për ngacmim seksual.