Kërkesa e Holandës, Cakaj: “Nuk do të ketë rikthim të vizave”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj është shprehur se mocioni për vizat nga parlamenti holandez nuk është final.

I ftuar në “News24” ai u shpreh se ekziston një arbitër më i lartë që vendos dhe ai është Komisioni Europian.

“Vendimi i marrë nga parlamenti holandez është i motivuar politikisht. Kjo për shkak të zgjedhjeve në Holandë, ku ka parti me qasje përjashtuese ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe ka rritje të populizmit të djathtë. Në këtë vendim të parlamentit holandez ndikon rritja e kërkesave për migracion, si dhe rritja e kërkesave për azil.

Faktor tjetër është edhe cënimi i sigurisë publike të Holandës dhe shteteve të tjera në BE. Presim që Komisioni Europian të japë përgjigje negative ndaj vendimit të parlamentit holandez. Vendimi i marrë nga parlamenti holandez nuk duhet të cënojë për asnjë moment raportet mes Holandës dhe Shqipërisë,” – theksoi Cakaj.

Ministri Gent Cakaj ndër të tjera theksoi se për Shqipërinë po bëhen hapa para, pritet rekomandim pozitiv pa kushte për hapje të negociatave me Shqipërinë  dhe se në këtë kontekst nuk ka tërheqje të liberalizimit të vizave për shqiptarët.

Ndër të tjera ai theksoi se të gjitha aludimet nga faktori vendas nuk bëjnë tjetër gjë, përpos prishjes së imazhit të vendit.

Shpërndaje
Share.

Komento