Me të mirat e të këqijat e veta, Festivali i Këngës në RTSH uli siparin më 22 dhjetor 2019, duke lënë ndjesi nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha, pikëpyetje.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha dyshimet për përzgjedhjen e fituesëve që në zanafillat e këtij evenimenti muzikor, pikëpyetjet për edicionin e fundit nisin me misterin e ndryshimit të jurisë vetëm pak ditë pas natës së parë të Festivalit, e së fundmi me përdorimin e buxhetit që ishte akorduar për festivalin.
Më 15 nëntor të 2019-ës, në faqen online të RTSH-së (që lë shumë për të dëshiruar, por për këtë do të flasim pak më tej) është publikuar një vendim i Këshillit Drejtues të RTSH që ka caktuar një shumë prej 41.882.550 lekësh të rinj (para të taksapaguesëve shqiptarë) për realizimin e Fest58, buxheti më i lartë që është akorduar ndonjëherë në historinë e festivalit.
Sakaq, në qershor të vitit që lamë pas, u mësua për herë të parë dhe fakti se dyshja televizive Alketa Vejsiu-Vera Grabocka do të merrnin përsipër edicionin e 58-të të Festivalit me qëllimin e madh për t’i rikthyer atij shkëlqimin e dikurshëm.
Duke ditur eksperiencën e dyshes së famshme me spektaklet televiziv, një buxhet më i madh deri diku e justifikon veten, por sërish, diçka nuk shkon.
Me të nisur festivali, ajo që ra në sy ishin reklamat e shumta të kompanive private, të transmetuara si në ndërprerje të mirëfillta publicitare, ashtu dhe të përmendur si sponsorë të Fest58 nga vetë prezantuesja Vejsiu.
Prisni pak… Kjo do të thotë se krahas buxhetit të akorduar nga Këshilli Drejtues, Fest58 ka pasur dhe një buxhet të dytë privat?
Qartazi po!
Madje në një artikull të publikuar nga portali “pamfleti.net”, thuhet se burime nga bordi administrativ kanë bërë të ditur konfidencialisht se shuma e mbledhur nga këto reklama është rreth 51.7 milionë lekë të rinj, që nuk është aspak çudi duke parë reklamimin që iu bë.
Mjafton të kujtosh që Festivali supozohej të fillonte në orën 20:30 por ka nisur në orën 21 dhe në këtë gjysmë ore, janë transmetuar vetëm reklama, për të mos folur për vijimin e spektaklit.
Por përse vallë ishte nevoja e një buxheti shtesë kur vetë Këshilli Drejtues ka akorduar një shifër jo të vogël për këtë festival?
Ne të “iconstyle.al” vendosëm ta merrnim për të mirëqenë këtë buxhet që është më shumë se dyfishi i atij që ishte parashikuar dhe vendosëm të hidhnim një sy se ç’thuhet për këtë fakt në faqen zyrtare të RTSH që si çdo institucion publik, ka për detyrë të bëjë transparencë për çdo shpenzim të kryer duke qenë se financohet nga taksat që të gjithë ne paguajmë në këtë vend.
ASGJË! Në programin e transparencës prej më shumë se një jave që ne kemi nisur kërkimet qëndronte thjesht një faqe e bardhë.
Të gjendur në këtë situatë, vendosëm të kontaktonim me zëvendës drejtorin e RTSH, z.Martin Leka, në mungesë të drejtorit Thoma Gëllçi i cili gjendej në SHBA.
Në telefonatë, z.Leka u tregua disi i vagullt duke pranuar se nuk i dispononte informacionet e kërkuara, por na shpjegoi se procesi i likuidimeve të pagesave ende nuk kishte përfunduar, por gjithçka do të bëhej publike në ditët në vijim.
Sakaq, pasi u njoftuam për kthimin e z.Gëllçi, vendosëm ta telefononim sërish për t’u përballur me këto fjalë të Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar:
“Kush je ti moj?!” Sipas z.Gëllçi, një gazetare nuk mund të shqetësojë drejtorin “orar pa orar në telefon” (ishte ora 13:30, brenda orarit zyrtar të punës) dhe sipas tij do duhej ndjekur rruga zyrtare e kërkimit të informacionit.
Na falni zoti Gëllçi, po ku kërkohet informacioni në RTSH në epokën e digjitalizimit? Në departamentin e marketingut, tek njësia teknike, apo në departamentin e marketingut të TV Korçës?
Kështu pasi i bëmë të ditur që RTSH nuk ofron asnjë formë kontakti me sekretarinë e Drejtorit të Përgjithshëm ku ne si media (si individ thjesht ta harrosh) të mund të kërkonim zyrtarisht informacion, z. Gëllçi zgjodhi të na uronte ditën e mirë duke na kërkuar të mos e shqetësonim më, sërish “orar pa orar”.
Megjithatë, telefonata duket se diçka lëvizi. Vetëm një ditë më pas, konkretisht ditën e sotme, në Këndin e Transparencës të TVSH ishte publikuar plot NJË FAQE E VETME ku renditeshin zërat e shpenzimeve për Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH. Urraaaa!
Por jo, u nxituam! Në fakt bëhet fjalë thjesht për edicionin e 55-të të Festivalit të Këngës, të mbajtur në 2016-ën e që sërish ka nevojë për verifikim. Pra RTSH jo vetëm nuk ka bërë transparencë për Fest58, por mesa duket dhe për dy edicionet paraardhëse.
Ndaj duke qenë se në 2020-në RTSH-ja e digjitalizimit nuk na ofron as një email për të kontaktuar, kërkesën po ia bëjmë publikisht zotit Thoma Gëllçi: A mund të bëni transparencë për të gjitha paratë që janë përdorur për Fest58? Faleminderit paraprakisht, përgjigjen e presim dhe orar pa orar!
Marrë nga iconstyle.al