Fasoneritë janë kthyer në vatra të COVID-19 në vendin tonë.
Në qarkun e Krujës, i cili numëron mbi 100 të prekur, pjesa më e madhe janë punëtorë fasonerish dhe të afërm të tyre.
Gjatë ditëve të fundit janë konfirmuar pozitive edhe 4 punonjësve të fasonerive të Tiranës.
Të dhënat janë bërë të ditura nga specialistja e ISHP, Rovena Daja.
Kjo e fundit shton, se ISHP po vazhdon kontrollet në Tiranë për zbatimin e masave ndaj COVID-19 dhe si pasojë një fasoneri është mbyllur.
“Që nga fillimi i pandemisë dhe deri më sot kemi 4 persona të infektuar, të cilët kanë punuar në fasoneri në Tiranë. Inspektoriati Shëndetsor Shoqëror po vazhdon kontrollet e tij dhe është mbyllur një fasoneri në Tiranë”, u shpreh Rovena Daja.
Ndërkohë numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 782.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga 245 testet e kryera janë konfirmuar 9 raste të reja.
Aktualisht në dy spitalet COVID po marrin shërbim 33 pacientë, 7 prej të cilëve ndodhen në terapi intensive.
Gjithashtu numri i të shëruarve ka shkuar në 488, ndërsa viktima janë regjistruar 31.