Bëhet me dije se koncesioni i bazës së Forcës Detare në Limion të Sarandës është kallëzuar në SPAK si korruptiv.
Mes emrave të denoncuar janë ish-ministrja e Mbrojtjes, aktualisht ministre e Jashtme, Olta Xhaçka si dhe Presidenti Bajram Begaj, në atë kohë shef i Shtabit të Ushtrisë.
Mësohet se kallëzimi është bërë nga ish-drejtuesi i forcës detare, Artur Meçollari.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Meçollari akuzon ata se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes së forcave detare, që sipas ligjit, çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti.
Koncesioni është dhënë për Shefqet Kastratin. Kontrata parashikon që në këmbim të shfrytëzimit të një pjese të bazës së forcës detare për 35 vite, Kastrati të ndërtonte bazën e re detare sipas parametrave të NATO-s.
Oligarku jo vetëm që nuk ka respektuar kontratën e nuk ka përfilluar hetimet e nisura nga SPAK, por ka shkelur kushtet e NATO-s pasi ka shfrytëzuar edhe hapësirën prej 39 hektarësh, që sipas kontratës duhej të ishte hapësira e ku do të ndërtohej baza e re moderne e flotës detare.
Me këto shkelje rregullash ose do përjashtohemi nga NATO ose Kastrati e ka blerë dhe atë njësoj siç funksionon me SPAK.
Në këtë hapësirë nuk ka as bazë të re dhe as flotë detare më, por depozita me karburant, që Shefqet Kastrati ka vendosur për të furnizuar jahte e anije, nën maskimin e një investimi strategjik e turistik të favorizuar nga taksat.
Koncesioni është dhënë për 1 euro që në vitin 2019 me një amulli vendimesh mes ministrive dhe vetë Këshillit të Ministrave. Dyshimet se ky koncesion është korruptiv lindin që me vendimin e parë të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së drejtuar nga Belinda Balluku. Kjo e fundit firmos megjithëse prona shtetërore që jepej në koncesion ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes së drejtuar në atë kohë nga Olta Xhaçka.
Kur dolën në pah pengesat ligjore për nënshkrimin e kontratës, sipas denoncimeve të Artur Meçollarit, ministrja Olta Xhaçka ka thirrur në një takim drejtuesit e forcës detare duke u kërkuar që të firmosin dhënien e truallit të ushtrisë për oligarkun Kastrati për ndërtimin e Marina Bay Saranda.
Aktualisht jo vetëm që baza është jashtë funksionit, por ajo ndodhet në një gjendje edhe më të rrënuar se më parë dhe praktikisht e papërdorshme nga ana e forcës detare, që nuk ka akses në një prej bazave më strategjike në raste konfliktesh./Voxnews