Ish-kryeministri Italian dhe njëkohësisht ish-President i Komisionit Europian Romano Prodi, ka folur në një Podcast me ish-Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Në një bisedë që zgjat më shumë se 30 minuta në hapësirën e komunikimit “Public Square”, Prodi dhe Bushati folën për çështje të rëndësishme të cilat janë kryefjalë e zhvillimeve politike të ditës dhe jo vetëm.
Prodi me një përvojë politike gjysmëshekullore mendon se lufta në Ukrainë nuk ka gjasa të mbarojë shpejt. Sipas tij, “një prej pasojave të kësaj lufte është riarmatimi i Gjermanisë, çka në planin afatgjatë do të ndryshojë natyrën e Europës, sepse Europa deri tani ka pasur një motorr të formësuar nga Franca në fushën politike dhe ushtarake dhe nga Gjermania në fushën ekonomike. Gjermania për pesë vjet, do të bëhet lider edhe në politikën e jashtme edhe në politikën ekonomike. Dhe ky është një ndryshim i madh”.
Prodi mendon se:
“Ky është momenti kur Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë një interesim për ta mbajtur të bashkuar Europën, sepse ka interesa objektivisht të ndryshëm ndërmjet SHBA-ve dhe Europës në fushën ekonomike. Për shkak të luftës, Ballkani është harruar. Dhe ky është një gabim shumë i madh.Ballkani Perëndimor duhet patjetër të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Prodi dhe Bushati biseduan edhe për nivelin e bashkëpunimit shqiptaro-italian dhe mungesën e përditshmërisë së kësaj marrëdhënie.
“Politika nuk i toleron hapësirat bosh, dhe nëse aty nuk është Italia, vendin e zë Turqia”, deklaron Prodi. Në pritje që politika europiane të ndryshojë, ai sugjeron një strategji 5-vjeçare për intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, pasi sipas tij “marrëdhëniet janë të mira, marrëdhëniet ekonomike janë të forta, por nuk ka asnjë ide sesi të vijmë tek një strategji që do të jetë shumë e dobishme edhe në funksion të negociatave me Bashkimin Europian”.
Prodi dhe Bushati biseduan edhe për intensifikimin e lidhjeve mes partive politike në Itali dhe Shqipëri me një vëmendje të posaçme rreth të përbashkëtave në politikë. Në këtë drejtim, Prodi e gjykon të nevojshëm ndërmarrjen e një aksioni të posaçëm përkundrejt qeverisë franceze, pasi vonesa e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE kthehet në një pengesë dhe jo në aset.
Sipas Prodit “kuadri i përbashkët politik është i dobishëm për t’i kujtuar Italisë se ky është mision i saj. Ky nuk është një hap i papërfillshëm por një progres i rëndësishëm”.