Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kërkuar publikisht që Greqia të shfuqizojë ligjin e luftës, një çështje që ka mbetur në fuqi për 84 vite. Gjatë një interviste në rubrikën “Opinion” në News24, Idrizi theksoi rëndësinë e këtij ligji në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Ministri i jashtëm grek Kotzias e ka cilësuar një budallallëk historik. Ky ligj duhet të shfuqizohet nga pala greke përsa kohë edhe vetë ministrat e Jashtëm të vendit fqinj e konsiderojnë një budallallëk,” tha Idrizi. Ai shtoi se shfuqizimi i këtij ligji duhet të jetë një prioritet në raportet mes dy vendeve.
Idrizi theksoi se për herë të parë pas 84 vitesh, Republika e Shqipërisë, nëpërmjet Parlamentit të saj, i drejtohet parlamentit të Greqisë duke kërkuar që të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e saj dhe të votojë çdolloj akti ligjor që heq ligjin e luftës. “Qeveria shqiptare duhet të shtojë çdo përpjekje me qeverinë greke për të arritur në heqjen e ligjit të luftës,” vijoi Idrizi. Ai theksoi gjithashtu se Qeveria shqiptare është e detyruar të raportojë dhe informojë Kuvendin e Shqipërisë lidhur me çdo bisedim, arritje apo negociatë, si dhe të informojë NATO-n.
Në lidhje me replikat me deputetin Ferdinand Xhaferri, Idrizi u shpreh: “Ndoshta nuk e ka lexuar, ndoshta i ka rënë dielli në kokë, pasi nuk kemi të bëjmë me ndonjë negociatë. Çështja e ligjit të luftës është çështjes e palës greke, ndaj ne ia kërkojmë atyre përmes një rezolute, por këtu s’kemi çfarë të negociojmë.”