Në kuadër të operacionit të madh “Sundimi i ligjit”, i cili synon kapjen e personave të shpallur në kërkim, policia ka arritur të arrestojë një 39-vjeçar nga Vaun i Dejës, i cili ishte shpallur në kërkim kombëtar për veprime të rënda. Ngjarja ndodhi më 26 qershor 2023, në lagjen “Qemal Stafa” të Shkodrës, ku pas një konflikti për motive të dobëta, ky shtetas dyshohet se plagosi rëndë një të ri 26-vjeçar duke e goditur në kokë me një send të fortë dhe më pas e kërcënoi atë me armë zjarri.
Pas arrestimit, policia e Shkodrës ka kaluar materialet procedurale te Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, për më tej të ndjekin procedurat ligjore ndaj të ndaluarit.