“I implikuari për vrasjen e tij nuk është më gjallë”, djali i Remzi Hoxhës shfaq zhgënjimin ndaj shtetit shqiptar

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha tha sot, se i dyshuari kryesor për vrasjen e babait të tij, Budjon Meçe, nuk është më gjallë.

Sipas Ardian Hoxhës, edhe kryeministri Edi Rama, dështoi të zbardhte misterin e vrasjes së babait të tij.

I biri i të ndjerit, tregon takimin me Ramën, në 2015-ën, i cili asokohe e kishte drejtuar tek ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Hoxha shton më tej se qeveria nuk ka qenë e interesuar të hedhë dritë mbi këtë ngjarje, shkruan ‘Balkanweb’.

“Iu drejtova kryeministrit Rama, fillimisht na u tha se i duhej kohë, që të merret me çështjen. Por, në 2015 prapë e takova dhe i ofrova edhe një zgjidhje, se si ta zgjidhte më shpejt e më lehtë këtë çështje, duke e kapur Budjon Meçen, pasi kisha informacion se gjendej në Shqipëri, më orientoi te Saimir Tahiri, që ishte ministër i Brendshëm dhe më tha t’ia çoja të gjitha informacionet. Tahirit ja kam nënvizuar që Budion Meçeja ka qenë i implikuar, në email shihet edhe përgjigja e tij, se do ja kalonte policisë, por që nuk është bërë asgjë. Tashmë kam informacionin se Meçeja nuk është i gjallë më. Kemi humbur një rast për të zbardhur drejtësinë. Kjo është shumë zhgënjyese për ne familjarët, pasi kishim shpresa të mëdha se do na ndihmonte të gjenim eshtrat. Kjo tregon se edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar të zbardhë rastin e babit tonë. Babi im, si shumë njerëz të tjerë, jetën e ka humbur për kombin shqiptar. Është shumë zhgënjyese për ne dhe shumë familje të tjera”, tha djali i Remzi Hoxhës.

Ndër të tjera ai shton, se për të rritur presion ndaj shtetit, po përgatiten dy dokumentarë për figurën e Remzi Hoxhës, njëri narrativ dhe tjetri artistik.

Ka dyshime se Remzi Hoxha ka pasur të dhëna për një takim të fshehtë të ish-kryeministrit Sali Berisha me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

Remzi Hoxha u zhduk në vitin 1995 dhe që prej asaj kohe eshtrat e tij nuk janë gjetur.

Shpërndaje
Share.

Komento