I dënuar me burgim të përjetshëm, Gjykata e Krujës i fal 5 vite burg dhe liron ish-anëtarin e bandës së Durrësit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pas 20 vitesh burg, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha ka vendosur të lirojë Endrit Doklen, ish-numrin 2 të bandës së Durrësit.

Gjyqtarja pranoi kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm, të konvertuar në 25 vite.

Lëvizja kyçe për lirimin e Dokles, ishte pranimi i kërkesës së avokatëve të tij, për lëvizjen nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, në një burg të zakonshëm.

Kërkesa u pranua shtatorin e kaluar, po nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, shkruan “Shqiptarja.com”.

Menjëherë pasi siguroi fitoren e parë, Dokle depozitoi një kërkesë për lirimin me kusht, pasi pjesën më të madhe të dënimit prej 25 vitesh , sikurse pretendojnë avokatët, klienti i tyre e ka kryer.

Më pas avokatët kërkuan shuarjen e dënimit përjetë, të dhënë nga gjykata e Lartë në 2014-ën dhe konvertimin me 25 vite burg.

Kërkesa është kundërshtuar nga prokurorët, pasi dënimi ishte i formës së prerë, mirëpo gjyqtarja Hoxha vendosi ta konvertojë dënimin.

Dokle duhej të qëndronte edhe 4-5 vite në qeli, mirëpo avokatët kanë pretenduar se vitet janë ulur nga amnistia dhe gjykata e pranoi.

Prokuroria e Krujës pretendon se lirimi i Dokles është kryer në shkelje, pasi gjykata ka llogaritur si ditë burg edhe amnistinë, e cila sipas ligjit nuk llogaritet.

Pritet një reagim nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi vendimi për Doklen është lënë në fuqi edhe nga Gjykata Kushtetuese, kështu që i pandehuri kishte si mundësi vetëm Strasburgun për të apeluar.

Shpërndaje
Share.

Komento