Hoti kap Policinë, Tatimet dhe Doganat, heq njerëzit e Thaçit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me arsyetime të shkurtra që lidhen kryesisht me “performancë të dobët”, të premten janë shkarkuar tre personat që kanë mbajtur tri nga pozitat më të rëndësishme në vend.

I cilësuar si i afërt me PDK-në, Rashit Qalaj është shkarkuar pas dy vjet e dy muajsh menaxhim me institucionin e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi i tij është bërë saktësisht 7 ditë pas arrestimit të nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.

PDK-ja e edhe deputetë opozitarë i kanë ndërlidhur këto dy ngjarje, duke pretenduar që Qalaj është arrestuar për shkak se Drejtoria e Krimeve Ekonomike e nivelit qendror ka arrestuar nënkryetarin Rugova.

Presioni mbi këtë institucion, siç kanë thënë burimet, ka qenë dhe është edhe largimi i drejtorit të Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiut.

Pas Qalajt, kryeministri Hoti ka shkarkuar edhe dy drejtorë.

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës janë institucionet publike me qarkullimin më të madh financiar në vend. Të dyja këtyre institucioneve kryeministri Hoti ua ka shkarkuar drejtorët.

Ilir Murtezaj është bërë drejtor i ATK-së në shkurtin e vitit 2019 në koalicionin qeverisës PDK-AAK-NISMA, njëjtë sikurse edhe Qalaj.

Shefi i shkarkuar i Doganës ka qenë i përkohshëm.

Kur Avdullah Hoti ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e kaluar, kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, pati caktuar Xhakën ushtrues detyre të shefit të këtij institucioni.

“Sot në Drejtorinë e Doganës është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm nga zt. Bahri Berisha te zt. Ibrahim Xhaka i emëruar nga kryeministri si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm”, thuhej në komunikatën e Doganës së Kosovës në shkurtin e këtij viti, disa javë pasi patën nisur qeverisjen partnerët e atëhershëm LDK-VV.

Shpërndaje
Share.

Komento