Deri më sot problemi për ngritjen ose jo të disa hidrocentraleve private mbi shtratin e lumit “Vjosa”, nuk kishin shqetësuar askënd përveç banorëve të zonave ku kalon ai dhe shoqatave të ambientalistëve.
Madje këta të fundit kanë organizuar në vitet e fundit disa protesta për këtë çështje, deri edhe para zyrës së kryeministrit.
Por as qeveria “Rama” dhe as ministrat e saj si ai i Turizmit dhe Mjedit, ashtu dhe ministrat e Bujqësisë, apo Energjetikës, nuk kishin reaguar për problemin se lumi Vjosa mund të prishet nga ndërtimi i HEC-eve mbi të.
Ishte një deklaratë e bërë dje në një tryezë të thirrur nga Presidenti Ilir Meta për mbrojtjen e lumit Vjosa, dhe deklarata e tij kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve, atij të Poçemit dhe të Kalivaçit, mbi shtratin e këtij luimi, ajo që ka zgjuar debatin politik.
Vetëm një ditë pas deklaratave të Presidentit Meta për lumin Vjosa, Kryeministri Edi Rama, ka reaguar duke i kujtuar kreut të shtetit heshtjen e tij për shkatërrimin e lumenjve të tjerë të vendit nga hidrocentralet.
Replikat në distancë
Një ditë më parë Presidenti Meta tha në lidhje me lumin “Vjosa”, se “e ardhmja nuk është shkatërrimi i këtij lumi, por turizmi”.
Por përmes një reagimi, kreu i qeverisë, Rama, tha se, Meta duhet të kishte reaguar edhe për lumin Valbonë, kur ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Sali Berishës, kohë në të cilën u dhanë me dhjetëra licenca për ngriotje HEC-esh lokale nën sloganin “Shqipëria një superfuqi rajonale hidro-energjetike”.
Nuk dihet nëse Presidenti Meta e ka bërë këtë deklaratë i shtyrë nga ndonjë informacion se pas projekteve të HEC-eve mbi Vjosë, qëndrojnë oligarkë të lidhur me qeverinë, apo për prishjen e ndonjë interesi të tij.
Por ajo që është e konfirmuar deri tani, është fakti se njëri nga dy HEC-et, ai i Kalivaçit, do të ndërtohej nga kompania e biznesmenit italian, Francesco Beccheti, por që tani është anuluar dhe kantieri qëndron nën sekuestro nga shteti.
Beccheti sot ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar një gjyq kundër qeverinë “Rama”, pikërisht për mbylljen e televizionit të tij “Agon Channel”, dhe pret t’i marrë shtetit shqiptar një dëmshpërblim prej 110 milionë eurosh.
Reagimi i Kryeministrit Rama
“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!
Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”
Reagimi i Presidentit Ilir Meta
“Mbështes fuqimisht ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen Park Kombëtar të pjesës lumore ku parashikohen të ndërtohen HEC-et. Rishikimi nga Qeveria i planeve ndërtimore mbi këtë lumë, do të ishte jo vetëm një shenjë shumë e mirë demokracie, në vlerësim të opinionit të përparuar kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një reagim i përgjegjshëm për të gjithë këshillimet e përsëritura nga institucionet më të larta europiane.
Çdo qëndrimi kokëfortë nuk do t’i shërbente të mirës së përbashkët të vendit, por njëkohësisht edhe rrugës tonë për në BE. Uroj që tryeza e sotme “E ardhmja e lumit Vjosa” të arrijë të vendosë një dialog të munguar midis shkencëtarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, me qëllim, ruajtjen e natyrës sonë të mrekullueshme, me të cilën jemi bekuar.
Të mbrojmë Vjosën dhe lumenjë e tjera të Shqipërisë përpara se arroganca, papërgjegjshmëria dhe marrëzia t’i vënë kazmën edhe turizmit, një nga alternativat më afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, dhe të shumë familjeve shqiptare që banojnë në këto zona. Lumi Vjosa është një pasuri natyrore për vendin.
Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe hapësirat jo miqësore dhe armiqësore në zonat e gjelbra, s’mund të jetë në rrugë e blertë për zhvillimin e vendit. Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et shkaktojnë dëme në sipërfaqet e ujërave, deri në ashpërsimin e klimës deri në ngrohjen globale. Shqetësim bën dhe cilësia e hartimit të raporteve për ndikimin në mjedis të HEC-eve.
Ato shpesh përgatiten në tavolinë në mënyrë të shpejtë dhe shpesh miratohen ato që do qeveria dhe koncesionari. Këto ditë jam vënë në dijeni për një letër të hapur nga komuniteti europian për një shqetësim për HEC-et. Çuditërisht këto kambana nuk dëgjohen. Shteti shqiptar duhet të ruajë vlerat e natyrës dhe të shëndetit të njeriut.
Do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar. Çdo qëndrim kokëfortë s’do i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Çdo shqiptar duhet të shkojë në lumin Valbonë, që është për të vënë duart në kokë me atë çka është bërë”.
/GazetaReforma.com/