“Dhënia e portit, zgjerimi i portit, është dhënë nga ish zv.kryeministri Erion Braçe. Ai që bën ato videot për parkimet në Tiranë. Ai ‘i revoltuari’ ka dhënë territor tokësor dhe detar dhe ka dhënë territor aty ku gjendet hidrovori. Meqenëse u krijua ky porti, hidrovori doli jashtë funksioni. Atëherë e morën hidrovorin, e ndërtuan në një vend tjetër dhe harxhuan 20 milionë euro dhe nuk funksionon. Historia lidhet me portin MBM, që është në shumicë aksionesh i Shefqet Kastratit. Katër vjet e shkatërroi pa leje, ndërtoi pa leje, e zaptoi pa leje. Nëse do ta kishte marrë me qira, shteti do bënte 2.4 deri 2.5 milionë euro. Në 30 dhjetor, kryeministri ia jep me 1 euro për 20 vjet portit MBM.”
Kjo deklaratë e ish-kapitenit të rangut të parë Artur Meçollari është një shpjegim i ftohtë dhe i drejtpërdrejtë i asaj që sot quhet “përmbytje” dhe që pushteti përpiqet ta shesë si fatkeqësi natyrore. Në fakt, sipas tij, kemi të bëjmë me një pasojë të parashikueshme të një vendimi politik, të marrë vite më parë, me emra konkretë dhe me një përfitues të qartë.
Artur Meçollari është ish zëvendëskomandant i Forcës Detare dhe ish komandant në detyrë i saj, si edhe anëtar i komisionit teknik për ndarjen e kufirit detar me Greqinë. Prej vitesh ai ka dalë publikisht me analiza, dokumente dhe kallëzime, në çështje ku zakonisht mbizotëron heshtja. Ka folur për ujërat territoriale, për pronat e Forcës Detare, për portet turistike të dhëna me 1 euro, për kontrabanda nafte, për anije të fundosura për interesa private dhe për zaptime të territorit shtetëror. Në disa raste, denoncimet e tij janë kthyer në hetime konkrete të SPAK, sekuestrime pronash dhe vendime gjykatash. Në të tjera, kanë shërbyer si dëshmi se si funksionon mekanizmi i paprekshmërisë.
Në rastin e Porto Romanos, Meçollari shkon një hap më tej se sa debati i zakonshëm publik. Ai nuk flet vetëm për një hidrovor që nuk punoi, por për arsyen pse ai nuk punoi. Ai shpjegon se territori tokësor dhe detar ku ndodhej hidrovori i vjetër iu dha projektit të portit. Me krijimin dhe zgjerimin e portit, hidrovori doli jashtë funksioni. Nuk ishte defekt teknik, por përjashtim fizik nga territori. Zgjidhja që u ndoq ishte zhvendosja e hidrovori, ndërtimi i një strukture të re dhe shpenzimi i rreth 20 milionë eurove para publike. Sot, edhe ky hidrovor rezulton i paaftë për të përballuar prurjet.
Kjo është arsyeja pse përmbytja e Durrësit nuk mund të shpjegohet me “shi të madh”. Kanalet kulluese janë devijuar, rrjedhat natyrore të ujërave janë ndryshuar dhe e gjithë infrastruktura është orientuar drejt një sistemi që nuk ka kapacitet. Uji që sot zbret nga kodrat dhe përmbyt qytetin nuk duhej të vinte aty. Ai u drejtua aty nga vendime të qëllimshme, të marra për t’i hapur rrugë interesit privat.
Në këtë histori, heshtja e Erion Braçes merr një kuptim tjetër. I përmendur drejtpërdrejt nga Meçollari si ish zv.kryeministri që ka dhënë territorin për portin, Braçe sot shfaqet publikisht me tone kritike për çështje periferike, por shmang këtë temë. Kur vendimi është marrë prej teje, heshtja nuk është rastësi. Është mbrojtje politike.
Përfituesi, edhe sipas Meçollarit, me shumicë aksionesh është Shefqet Kastrati. Për katër vite me radhë, zona është shkatërruar, ndërtuar dhe zaptuar pa leje. Në vend që shteti të ndëshkonte shkeljet dhe të mbronte pronën publike, në fund ai i ka legalizuar ato me një vendim politik: 1 euro për 20 vjet për portin MBM. Një tarifë simbolike që bëhet tallëse, kur krahasohet me vlerën reale të territorit dhe me faktin se shteti do të kishte përfituar miliona euro nëse prona do të jepej me qira normale.
I njëjti model është ndjekur edhe në raste të tjera të denoncuara nga Meçollari. Porti i Limionit në Sarandë, bazë e Forcës Detare, iu dha me qira për 20 vjet me 1 euro bashkimit të shoqërive private. Pas kallëzimit të tij, çështja u mor në hetim nga SPAK, prona u vendos nën sekuestro dhe kërkesa për heqjen e sekuestros u rrëzua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Edhe aty, argumenti ishte zhvillimi dhe turizmi. Edhe aty, kostoja ishte cënimi i pronës publike dhe i interesit shtetëror.
Në të njëjtën vijë janë edhe denoncimet e tij për anijen e mbytur përpara resortit Green Coast të Samir Manes, në Palasë, për kontrabandën e naftës në Porto Romano, ku sipas dokumenteve pritësi i mallit rezultonte një kompani e fuqishme, ndërsa përgjegjësia penale u përqendrua te ekuipazhi. Ose për zaptimin e pronave të Forcës Detare në disa baza, për të cilat sot ka dosje në SPAK. Në të gjitha këto raste, skema është e njëjtë: interes privat i fortë, vendim politik, dëm publik dhe më pas përpjekje për ta mbyllur historinë pa prekur thelbin.
Në Durrës sot, qytetarët përballen me pasojën: shtëpi të përmbytura, biznese të shkatërruara, humbje jete dhe një shtet që flet për shiun. Por historia e Porto Romanos tregon se përmbytja nuk erdhi nga qielli. Ajo u ndërtua hap pas hapi, me firmë, me vendim dhe me kontratë. Hidrovori u hoq nga rruga sepse pengonte portin. Porti iu dha privatisht me 1 euro. Paratë publike u dogjën për një zgjidhje që nuk funksionoi. Dhe në fund, fatura iu la qytetarëve.
Skandalet ndryshojnë emër. Një ditë quhen mbetje toksike, një ditë tjetër përmbytje. Por personazhet, interesat dhe mënyra e veprimit mbeten të njëjta. Dhe për sa kohë vendimet politike që krijojnë këto katastrofa nuk preken, Durrësi dhe çdo qytet tjetër do të vazhdojnë të përmbyten, jo vetëm nga uji, por nga një sistem që mbron të fortët dhe fundos publikun.








