Hekurudha Tiranë-Durrës/ Ja cila kompani ka fituar tenderin për rehabilitim

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kohët e fundit projektet për të rivitalizuar segmente të caktuara të hekurudhave shqiptare kanë nisur të aktivizohen edhe për shkak të vëmendjes që Bashkimi Europian po tregon për të lidhur infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor në një të vetme.

Kompania italiane “INC S.P.A” është shpallur zyrtarisht fituesja e tenderit për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas.

Referuar dokumentit zyrtar të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, INC një ndër kompanitë më kryesore në shtetin fqinj në fushën e infrastrukturave të mëdha ka ofruar 69.7 milionë euro për këtë investim, vlerën më të ulët teksa në tender dhanë oferta edhe dy kompani të tjera që ofruan mbi 92 milionë euro.

Projekti i cili është pjesë e Korridorit Mesdhetar përfshin rehabilitimin e linjës hekurudhore me gjatësi prej 34.2 km ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, teksa parashikon njëkohësisht edhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore prej 5 km midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.

Kostoja totale e këtij investimi të miratuar që prej vitit 2016 arrin në 92.1 milionë euro, ku pjesa më e madhe rreth 36.9 milionë euro do të mbulohet nga kredia e BERZH, para që do të përdoren për të bashkëfinancuar punimet e ndërtimit, si edhe mbikëqyrjen e punimeve që lidhen me projektin.

Ndërsa 35.5 milionë euro grant është parashikuar të mbulohet nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesa tjetër prej 19.7 milionë euro do të financohet nga qeveria shqiptare.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës do të shërbejë si për transportin e pasagjerëve ashtu edhe për atë të mallrave. Aktualisht ajo funksionon me 5 stacione, Durrës , Shkozet, Sukth, Vorë dhe Kashar.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento