Tashmë prej ditësh është duke qarkulluar një dokument ku thuhet se është një draft-marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, por kjo kundërshtohet kategorikisht nga Halil Matoshi, Këshilltari politik i Ramush Haradinajt.
Në një status në rrjetin e tij social, Matoshi ka thënë se ky dokument nuk është real, por është nxjerrë nga shërbimet inteligjente serbe, të cilët sipas tij, kanë nisur një fushatë të re në suaza të luftës kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Këto 22 pika nuk kanë sesi të jenë pjesë e një marrëveshjeje, pasi secila prej tyre është fatale për Kosovën si shtet, sepse me 22 pikat e saj, me secilën, e cenon rendin kushtetues, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të saj.
Ka qenë edhe vet kryeministri Ramush Haradinaj që e ka hedhur poshtë këtë draft-marrëveshje ku gjatë akademisë përkujtimore për heroin Enver Hadri ka thënë:
“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit është rreshtim i drejtë në anën e historisë, dhe ne po ashtu me vendimin e marrë për të bllokuar mallrat serbe, pra taksa 100 për qind është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje. Kosova nuk jep tokë për njohje, edhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”.
Ky është statusi i plotë i këshilltarit politik të kryeministrit të Kosovës Halil Matoshi:
Fatale: Serbia e pranon pavarësinë pa sovranitet të Kosovës!?
Shërbimet inteligjente serbe, kanë nisë një fushatë të re në suaza të luftës speciale kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilëve synon t’ua inplantojë psikologjinë e faktit të kryer – kinse ShBA-ja dhe Fuqitë e Mëdha qëndrojnë prapa kësaj materie – dhe së dyti lansimi i këtyre 22 pikave të detajuara i shërben estabilishmentit të Serbisë si matje pulsi të publikut në Kosovë por edhe tek serbët e veriut të vendit dhe tek ata të jugut të Serbisë. Serbia nuk e pranon ushtrinë, thyhet karakteri unitar i Republikës e cila nuk njihet me emrin e saj kushtetues…
Kjo ‘draft-marrëveshje’ e lansuar në rrjetet sociale dhe në disa media të Prishtinës pavarësisht origjinës së saj fantome, është fatale për Kosovën shtet, sepse me 22 pikat e saj, me secilen, e cënon rendin kushtetues te Kosovës, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të saj.
- E rikthen në tavolinat e bisedimeve çështjen e Kosovës, si çështje të pazgjidhur shqiptare – serbe duke i bâ disa mendjelehtë në Prishtinë, me e negociu pavarësinê dhe integritetin territorial, pra hyhet në projektin e shpërbërjës së Kosovës së 17 shkurtit;
- Destabilizohet ndjeshëm Ballkanin Perëndimor, secili kërkon hisen e vet të projektuar;
- Vërtetohet (vuloset) shtrirja e ndikimit rus në rajon;
- I shkelë tre parimet e panegociueshme të Grupit të Kontaktit që vlejnë si baza e arsyeshmërisë së shtetit kosovar;
- E hap deri në zhbërje Pakon Ahtisaari;
- Abrogon Kushtetutën e Kosovës.
- Zhvlerëson verdiktin këshilldhënës të GjND-së;
- Kosova relativizohet si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, sepse humb atributet e sovranitetit shtetëror mbi kufijtë dhe humb pronësinë në masë të madhe mbi resurset ekonomike kombëtare; Trepçën e KEK deri 35%, Ujmanin, përgjysmë;
- Për Mitrovicën parashikohet një model distrikti si i Brçko-s, qe then zinxhirin komandues të policisë;
- Mitrovica jep passaporta të ndryshme nga Republika e Kosovës me çka përfundimisht thyhet karakteri unitar i saj;
- Ia rikthen fuqinë UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244 pra forcon ndikimin e OKB-së duke e bërë protektore të pavarësisë pa sovranitet të Kosovës;
- Nuk e parasheh me asnjë rast ushtrinë e Kosovës dhe as anëtarësimin e Kosovës në NATO!?
- Shkakton trazira (konflikt të armatosur të intensitetit të ultë) me qindra të vrarë, bartje tragjike të popullsive dhe refugjatë të rinj;
- E rritë tendencen albanocentriste me të drejtë, sepse ekzistimi i mëtejm i Kosovës shtet, bëhet i pakuptimtë dhe Republika qytetare defunksionalizohet;
- Mund të rrezikojë deri në shkatërim jetët dhe pronën e qytetarëve serbë në brendi të Kosovës;
- Defunksionaluzon të gjitha të drejtat kushtetuese të serbëve që i kanë arritur tashmë:
- a) Votën e dyfishtë në Kuvend për çështjet e interesit vital;
- b) Pjesëmarrjën në Qeveri me postin e zëvendëskryeministrit;
- c) Statusin e disa komunave me shumicë serbe “ahtisaariane”;
- Kisha Ortodokse Serbe (KOS) fiton eksterritorialitet për Manastiret Mesjetare (Deçan, Gračanica);
- Zveçani i kalohet OKB-së nën administrim;
- Kosova humbë dy komuna (Leposaviqin e Zubin Potokun) me resurse të mëdha ekonomike – pasuri nëntokësore – dhe merr një komunë (Preshevën) me disa fshatra, pa infrastrukturë, pa asnjë resurs dhe me shumë probleme;
- Serbia vazhdon të ruaj një ndikim asimetrik administrativ e buxhetor në pjesën që i aneksohet Kosovës;
- Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës në emrin e saj kushtetues por si “Kosovo i Metohija” – emërtim kishtar që është menjanuar madje edhe nën Serbinë komuniste;
- Kosova bëhet e varur në mënyrë të sofistikuar nga Serbia. Dhe problemi mbetët i pazgjidhur duke i ushqyer anmiqësitë edhe për një shekull tjetër.
A janë këto arsye të bollshme që të vazhdojmë të jetojmë pa iluzionin e njohjës nga Serbia!?
“Nëse kjo njohje nuk vjen si kërkimfalje – thotë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj – për tragjedinë e shkaktuar shqiptarëve, njohje që këmbehet me territor dhe që nuk e pranon Kosovën e 17 shkurtit, nuk na duhet.”
Nisur nga këto kondita, Kosova politike duhet të mos lëviz fare në kahun e dialogut me Serbinë, i cili i menduar për normalizim ka devijuar në zyret e byrokratëve të Brukselit dhe çarqeve tjera që duan “zgjidhje jonormative”.
Kosovës nuk i duhet njohja e pavarësisë pa sovranitet dhe që e asgjëson atë gradualisht si entitet juridik-politik.
No, Thanks’
Ne, Hvala.
Jo, falemnderit!