Pas laboratorit në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e pacientëve me Covid-19 do të kryhen edhe në QSUT.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku deklaroi se po forcohen kapacitetet për kryerjen e testeve Real Time PCR.
“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre.
Duke folur për kapacitetet e testimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se synohet cilësi në këtë proces.
“Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i çertifikuar nga OBSH”, tha Manastirliu.
Shefi i Shërbimit të Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi, tha se çdo gjë është gati për të nisur punën për testimin e pacientëve të spitaleve COVID.
“Laboratori është i certifikuar dhe tashmë jemi gati për të nisur punën më pacientët e spitaleve COVID të Tiranës”, tha Koraqi.
Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha se ky laborator i plotëson të gjitha kushtet e biosigurisë dhe do të jetë një ndihmë e madhe për luftën ndaj SARS COV2.
MSH njofton se laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT do të vijojë edhe testimet serologjike për stafet mjekësore, pas Tiranës, edhe për stafet në spitalet rajonale. Aktualisht përqindja e pozitivitetit ështët nën 5.5%.
Njoftimi i plotë
🔴#COVID19
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – Hapet laboratori i dytë për testimet për COVID19.
👉 Ministrja Ogerta Manastirliu: Pas laboratorit të referencës në ISHP, me hapjen e këtij laboratori, siç e premtuam, zgjerojmë kapacitetet e testimit, me #cilësi dhe #siguri për identifikimin e të prekurve nga COVID19.