Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka protestuar sot në Tiranë para Drejtorisë së Policisë, për dhunën ndaj grave.
Aktivistët i bënë thirrje institucioneve shtetërore, që të reagojnë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Me moton “Gruaja denoncon-policia injoron”, aktivistët bënë me dije se vitin e shkuar 4629 gra kanë raportuar dhunën në polici.
Më tej aktivistët akuzuan policinë, se ka dështuar të mbrojë gratë me urdhër-mbrojtjeje, pasi vitin e shkuar humbën jetën 12 ndërsa 5 të tjera janë vrarë në këtë fillim viti.
Aktivistët gjithashtu e shpallën marsin, si muajin e angazhimit për gratë dhe vajzat, ku synimi kryesor është barazia.
Në fund ata vendosën një mesazh me grafit në murin e drejtorisë së policisë, ku shkruhet “Gruaja denoncon-policia injoron”.
DEKLARATA E PLOTË
Aktivistet dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri kanë zhvilluar ditën e sotme një konferencë për shtyp dhe një aksion simbolik përpara hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, për t’u bërë thirrje publike institucioneve ligjzbatuese të jenë në lartësinë e detyrës në parandalimin e dhunës dhe krimeve ndaj grave dhe vajzave. Aktivistja Evi Veliu ka denoncuar para mediave dhunën e ushtruar ndaj grave vitin e kaluar, gjatë të cilit 4629 gra në Shqipëri kanë raportuar në polici dhunën ndaj tyre. 12 gra janë vrarë vjet, ndërsa 5 gra të tjera janë vrarë që në fillim të këtij viti. Evi Veliu shtoi se Policia dështoi të mbronte edhe gra që kishin urdhër mbrojtjeje. Institucionet nuk po ofrojnë siguri dhe mbrojtje për gratë e rrezikuara. Nuk po mbajnë përgjegjësi për dështimin e hallkave të tyre. Kjo është rrjedhojë e mendësisë dhe politikave të gabuara që janë ngulitur në institucione dhe në kulturën socio-politike. Përveç diskriminimit shtresor dhe pabarazisë ekonomike, gruas i shtohet edhe shpërfillja institucionale.
Muaji mars vjen me pranverën dhe gjallërimin, jo vetëm të tokës por edhe të shoqërisë. Por, çka nuk vjen me ndryshimin e stinëve është vëmendja e duhur për gjysmën e shoqërisë. Sado që gjërat ndryshojnë, shtypja e të drejtave të grave, shfrytëzimi i egër ekonomik ndaj tyre, dhuna struktore dhe direkte ngelen të paadresuara. Pra 8 Marsi nuk ka arsye të përjetohet si një tjetër “festë” për konsum masiv. 8 Marsi nuk ka përse të shërbejë si datë për qetësim të ndërgjegjes, por për shqetësim e organizim kolektiv përgjatë gjithë vitit. Prandaj, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri e kanë shpallur sot marsin si muaj angazhimi për gratë e vajzat, me barazinë si pikënisje e vazhdimisht si synim. Shoqëria sot u kërkon më shumë sakrifica grave sesa burrave për t’u angzhuar në sferën publike. Kërkesa është që gruaja të heshtë, pavarësisht shypjes në familje, komunitet, shoqëri, në punë apo më gjerë. Nëse ajo hesht bëhet viktimë, nëse reagon e bëjnë viktimë. Shumë gra përjashtohen nga sfera publike përmes patrialkalizmit që e karakterizon sistemin ekonomiko-politik në Shqipëri. Politikat institucionale janë më larg nga të drejtat e grave, se ç’janë gratë nga politikja.
Roli i nënshtruar dhe i nëpërkëmbur i gruas përforcohet në ato plot raste që mbahen të fshehta apo që nuk shfaqin arsyet reale. Duke interpretuar qëllimet e dhunuesit, shkaqet e vrasjeve bien mbi gruan viktimë. Dhunuesi pasqyrohet me tipare jo-normale por vrasja e grave pothuajse shndërrohet në normalitet. Për të ndalur këto krime nevojitet ndërhyrja e të gjitha institucioneve të posaçme – shtetërore, mediatike dhe të protestës. Pas deklaratës për media, aktivistet dhe aktivistët kanë vijuar me aksionin simbolik vetëdijësues ku kanë vendosur një mesazh me grafiti në murin e jashtëm në hyrje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në mesazh shkruhej: “Gruaja denoncon – policia injoron”. Policia e ka tensionuar pak situatën duke tentuar të ndalojë aktivistë të ndryshëm të Lëvizjes dhe duke i ndjekur ata në rrugë edhe pas aktivitetit, por pa sukses. Gratë dhe vajzat janë potencial i pazëvendësueshëm shoqëror. Për aq sa ky potencial do të mbahet i dhunuar dhe i ndrydhur, lufta jonë kundër shtypjes do të jetë edhe më këmbëngulëse si edhe synimi ynë drejt emancipimit. Rezistenca nuk është durim në heshtje, por përpjekje e organizuar. Jo shtypje gjinore, Po barazi në të drejtat njerëzore!
Kjo protestë vjen vetëm pak ditë pasi humbën jetën dy gra, njëra në Rrëshen dhe tjetra në Durrës, të cilët u vranë nga ish-bashkëshorti dhe bashkëshorti.