Bordi Ekzekutiv i FMN ka miratuar 174 milion euro mbështetje emergjente për Shqipërinë.
Ky fond është gjeneruar nga Instrumenti i Shpejtë i Financimit dhe do të përdoret për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave, të cilat janë krijuar pas tërmetit dhe pandemisë së COVID-19.
Paratë do të shërbejnë për të përballuar tkurrjen ekonomike të vendit tonë përgjatë 2020-ës.
Vetëm FMN e ka cilësuar krizën ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, më të fortë se atë të viteve ’30.
“Për shkak të dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia Covid-19, aktiviteti ekonomik në Shqipëri mund të pësojë tkurrje domethënëse në vitin 2020, për t’u ndjekur nga një rimëkëmbje në vitin 2021. Duke parë situatën që është në zhvillim të vazhdueshëm, këto parashikime janë subjekt i një pasigurie të lartë dhe rreziqe me kah nga ulja”, thuhet në deklaratën e FMN-së.
FMN ndër të tjera ka vlerësuar masat e marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së pandemisë si dhe planin ekonomik për bizneset, ndërsa ka dhënë edhe disa këshilla.
“Për të kufizuar ndikimin e Covid-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme defiçiti fiskal në 2020. Eshtë e rëndësisë kritike që të sigurohen shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe mbështetje për qytetarët dhe firmat që janë dëmtuar nga pandemia Covid-19. Autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Kur këto goditje të jenë tejkaluar, do të jetë e rëndësishme që borxhi të kthehet në një trajektore të qartë rënëse. Fondi është i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë të luftojë pandeminë dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike”, shkruhet në deklaratën e FMN-së.
Banka Botërore ka parashikuar që Shqipëria do të humbasë 1.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si pasojë e goditjes së ekonomisë nga tërmeti dhe COVID-19.
Varfëria në vend do të shtohet, por ekonomia do t’i kthehet trendit rritës që në vitin 2021.
Për më shumë info lexoni këtu.