Skip to content
Kryesore

Goditet “Poker-i “ në Tiranë, arrestohet pronari

· 1 min lexim

Policia e Tiranës ka goditur një rast të organizimit të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme, duke arrestuar një 31-vjeçar dhe proceduar penalisht 11 persona të tjerë.

Aksioni u realizua pas informacionit të siguruar përmes inteligjencës informative, që tregonte se një lokal në rrugën “Besim Alla” ishte shndërruar në ambient për zhvillimin e lojës së “Poker-it”.

Gjatë kontrollit, 11 shtetas u kapën në flagrancë duke luajtur, ndërsa pronari i lokalit, shtetasi J. S., 31 vjeç, u arrestua për veprat penale “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Të arrestuarit u proceduan penalisht për “Organizimin e lotarive të palejuara”. Gjatë aksionit, u sekuestruan një tavolinë pokeri, çipsa, një sasi parash dhe një celular.

Materialet janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.