Përderisa ligjvënësit në Uashington po shqyrtojnë që të dërgojnë më shumë miliarda dollarë të mbështetjes federale për Kievin, për ta ndihmuar në luftën kundër agresionit rus, pothuajse gjysma e publikut në Shtetet e Bashkuara mendon se shteti po shpenzon shumë në ndihmën për Ukrainën. Kështu thuhet në një sondazh të kryer nga The Associated Press dhe NORC – Qendra për Hulumtime të Çështjeve të Publikut.
Këto ndjenja, të nxitura kryesisht nga republikanët, ndihmojnë në shpjegimin e ashpërsimit të kundërshtimit në mesin e ligjvënësve të Partisë Republikane, të cilët po kundërshtojnë përpjekjet e presidentit amerikan, Joe Biden, për të miratuar një pako të re të ndihmës për Ukrainën, duke argumentuar se paratë do të shpenzoheshin më mirë nëse do të destinoheshin për prioritete të brendshme.
Megjithatë, kundërshtimi ndaj ndihmës për Ukrainën ka rënë pak krahasuar me një sondazh të kryer një muaj më parë nga AP-NORC. Tani, 45 për qind e të anketuarve kanë thënë se Qeveria amerikane po shpenzon shumë për ndihmën për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, krahasuar me 52 për qind sa ishin në tetor.
Ky ndryshim i përqindjes duket se vjen kryesisht nga republikanët: 59 për qind tani kanë thënë se është shpenzuar shumë për ndihmën për Ukrainën, por kjo shifër është më e ulët krahasuar me 69 për qind sa ishte në tetor.
Sipas sondazhit, mbi një e treta (38 për qind) e amerikanëve në moshë madhore kanë thënë se shpenzimet aktuale “janë në nivelin e duhur”. Kjo përqindje është më e lartë krahasuar me sondazhin e muajit të kaluar (31 për qind). Republikanët e anketuar, pothuajse 3 në 10 (29 për qind), kanë deklaruar se shpenzimet aktuale janë të duhura. Kjo paraqet një rritje prej 20 për qind, krahasuar me sondazhin e muajit të kaluar.
Shtëpia e Bardhë raportohet se po u bën presion ligjvënësve që të miratojnë paketën e shpenzimeve emergjente në vlerë prej 106 miliardë dollarësh, që Biden propozoi në tetor. Në këtë pako përfshihen 61 miliardë dollarë për luftën në Ukrainë. Pjesa tjetër e ndihmës është paraparë për Izraelin që po lufton me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe për disa prioritete në rajonin e Indo-Paqësorit.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, SHBA-ja është shteti që i ka ndihmuar më shumë Ukrainës sa i përket armëve dhe ndihmës tjetër, duke dërguar në Kiev dhjetëra miliarda dollarë/rel