Gjykata e Tiranës ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë gati 50 milionë euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit kishin indicie të forta se rridhnin nga aktivitet kriminal i personave që i posedojnë.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, mes personave të përfshirë është Elman Abule, i konsideruar sot biznesmen i suksesshëm dhe i njohur si mik i Erion Veliaj. Në vitet 2004-2005, Abule ka qenë në Belgjikë i përfshirë në vjedhje të dhunshme, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.
Drejtoria e Interpol është informuar më 12 shtator 2023 se Elman Abule rezulton i dënuar më 17 janar 2007 nga Gjykata e Antverpit, me 30 muaj burg për veprën penale “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”. Sipas vendimit, ai është dënuar me 2 vite burg me kusht dhe 1 vit burg për “krijim bande”.
Po ashtu, në dosje përfshihet edhe Kristjan Boçi, mik i Abules dhe ish-ortak në subjektin “Rametal” dhe në shoqërinë “Ferro Chrome Holding”. Boçi ka qenë i arrestuar në Itali në vitin 2011 dhe njihet për lidhje me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, përfshirë Eldi Dizdari.
Gazetari Qyno ka mësuar se vendimi për mospranimin e kërkesës së prokurorisë është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili në fillim të muajit qershor 2025 u rikthye në detyrë me vendim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.
Abdiu refuzoi sekuestrimin e 20 shoqërive tregtare, dyqaneve, apartamenteve dhe vilave me vlerë rreth 50 milionë euro, në pronësi të Kristjan Boçit, Elman Abules, Vladimir Avramit dhe katër personave të tjerë të lidhur me ta.
Ndërkohë, pritet që pas zbardhjes së vendimit, prokuroria e Tiranës të paraqesë ankim në Gjykata e Apelit Tiranë, duke kërkuar sërish sekuestrimin e pasurive.
Në qershor 2024, e njëjta gjykatë, por me trup tjetër gjykues, kishte pranuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte urdhëruar sekuestrimin e pasurive të personave të dyshuar për veprimtari kriminale. Në atë vendim theksohej se Elman Abule kishte themeluar një sërë shoqërish tregtare për të maskuar aktivitetet e paligjshme, duke ndërtuar një skemë të mirëfilltë pastrimi parash në bashkëpunim me persona të tjerë, përfshirë Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin.
Megjithatë, në korrik 2024, ky vendim u prish nga Gjykata e Apelit, e cila e ktheu çështjen për rishqyrtim në shkallën e parë me trup tjetër gjykues. Shkak për këtë u bë qëndrimi i mbajtur në seancë nga prokurorja Arta Marku, e cila deklaroi se vendimi i Gjykatës së Tiranës ishte i paarsyetuar dhe i konfuzuar mes Ligjit Antimafia dhe Kodit të Procedurës Penale.
Palët më pas iu drejtuan me rekurs Gjykata e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Apelit për rishqyrtimin e çështjes nga e para.
Çështja iu shortua gjyqtarit Altin Abdiu, i cili vendosi të mos pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të lirojë të gjitha pasuritë e sekuestruara. Pavarësisht këtij vendimi, hetimi penal vijon, pasi prokuroria ndodhet në fazën e ekspertimit financiar për të përcaktuar nëse pasuritë janë krijuar ose jo me burime të ligjshme.








