Mesa duket maratona e protestuesve të Fierit nuk ka përfunduar ende. Edhe pse gjykata ka marrë vendimin për tre protestuesit me masën “arrest shtëpie”, policia duket se nuk është shumë dakord, ndaj ka vendosur që të marrë masat e saj.
Gjykata ka dhënë: “arrest shtëpie” për Pëllumb Isufajn, i cili akuzohet se goditi një efektiv të FNSH-së me gur duke e lënë të plagosur dhe ”detyrim paraqitjeje” për Enkeled Kafranin dhe Vladimir Zykajn.
Pikërisht këto fakte e kanë detyruar në një farë mënyrë Policinë e Shtetit që të bëjë reagimin e saj.
“Vendimi i sotëm i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër, që goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës, ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit. Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme”, theksohet në një njoftim zyrtar.
Po ashtu policia thotë se do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij.
Reagim i Policisë së Shtetit
Vendimi i sotëm i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër, që goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës, ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit.
Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme.
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbrojtjen e veçantë të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Rreziku për jetën e punonjësve të PSH, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin.
Policia e Shtetit e ka dëshmuar me gjakun e qindra dëshmorëve, përgjegjësinë e saj publike dhe nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre.
PSH do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore si për të mbrojtur jetën e punonjësve të saj, ashtu dhe për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit, edhe kur këta mbajnë të veshur padrejtësisht mantelin e gjyqtarit.
Policia e Shtetit do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij.