Një grua në Berat është ndëshkuar me gjobë 700.000 lekë pasi kishte thyer rregullat e vetëkarantinimit. 37 vjeçarja është infektuar me coronavirus, por ndryshe nga sa është urdhëruar, ajo nuk ka qëndruar në banesë, por ka dalë jashtë duke u kthyer në burim infeksioni për të tjerët.
“Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur nga COVID-19. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve. Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shtetasja E. Z., 37 vjeçe, e cila është infektuar nga COVID-19, kishte shkelur rregullat e vetëkarantinimit dhe kishte dalë jashtë banesës, duke u bërë burim infektimi për personat e tjerë. Në zbatim të Aktit Normativ, për këtë shtetase, Policia e Beratit ka vendosur masë administrative 700.000 lekë”, bën me dije policia.