Gazetari Artan Hoxha ka folur për gomonen e kapur ditën e sotme në ujërat e Vlorës pas një aksioni të policisë shqiptare me atë italiane.
Në një bisedë për AbcNews Hoxha tha se bandat kriminale sot po përdorin mjete mjaft të fuqishme të cilët nuk mund të kapen nga policia.
Gjithashtu gazetari Hoxha foli edhe për situatën e drogës në vend,ku tha se etiketimi e Shqipërisë si vend origjine për mbjelljen e kanabisit është gabim, pasi tani shqiptarët po prodhojnë vetë kanabis në vendet e Europës, për të shmangur koston e transportit.
“Trafiku i lëndëve narkotike nga Shqipëria nuk është ndërprerë ndonjëherë. Ai ka një luhatje si kurba e Covidit. Gomonet që përdoren sot janë shumë të fuqishëm, të cilat mund t’i kapësh vetëm nëse i mbarohet karburanti, ose në zbarkim të lëndës narkotike, pasi janë shumë të shpejta. Këta njerëz merren me atë punë. Grupet kriminale kanë një aftësi të madhe financiare dhe financojnë për të blerë skafe të fuqishme. Operacioni i sotëm i zhvilluar ditën në një kohë të mirë dhe prapë nuk u kap ngarkesa dhe as skafistët. I gjithë operacioni në fund u gjet vetëm skafi i braktisur. Ende nuk dihet tashmë nëse ka pasur ngarkesa. Deri tani kemi vetëm një mjet që është humbje minimale për ata.
Rasti i sotëm u bë i bujshëm sepse italianët hynë në lojë. 1 Kg kanabis në Shqipëri ka shkuar 1000 euro. Kaq ishte në Itali para 5 viteve. Të bëjmë diçka të qartë. Itali importon kanabis nga 3 vende, nga Shqipëria, nga Azia dhe nga Maroku. Tani shqiptarët çfarë kanë bërë, kanë krijuar baza në vendet e Europës në mënyrë që të shmangin koston e transportit. Prodhojnë në Itali 2-3 herë më shumë kanabis se sa në Shqipëri. Kemi dhe rastin e Britanisë. Atje marrin shtëpi dhe prodhojnë kanabis me llampa. Madje edhe në Spanjë kanë filluar prodhojnë”, tha Hoxha.