Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të përcillet në kostot e bizneseve dhe familjeve në vitin 2022. Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, mendon se viti 2022 do të karakterizohet nga një kërkesë e shtuar për mjete likuide nga ana e bizneseve, por konsumi i familjeve dhe niveli i investimeve, sidomos në segmentet e biznesit mikro dhe biznesit të vogël që shërben mikrofinanca, do të mbetet i moderuar.
Sipas saj, normat maksimale të interesit për kredinë konsumatore, që kanë hyrë në fuqi nga fillimi i vitit 2022, do të kenë një ndikim në pritshmëritë e institucioneve të mikrofinancës për këtë vit, por megjithatë nuk do të kenë pasoja drastike, si dalja nga tregu të kompanive të veçanta.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të mikrofinancës për vitin 2021? A janë amortizuar efektet e pandemisë dhe a ka arritur tregu t’iu kthehet niveleve të para-krizës?
Viti 2021, në këndvështrimin e sektorit të mikrofinancës, ka qenë një vit i rigjallërimit të veprimtarisë ekonomike dhe konsumit, pavarësisht që ende nuk jemi kthyer plotësisht në nivelet e para-pandemisë. Duke parë ecurinë e zhvillimit ekonomik, pavarësisht vështirësive dhe pasigurisë së bizneseve për të investuar, përsëri, institucionet tona anëtare kanë vërejtur se kërkesa për financim nga qytetarët, bizneset dhe fermerët ka filluar të rritet që në 3-mujorin e parë të vitit.
Sipas vëzhgimeve të kryera në tregun tonë të synuar, vërehet se bizneset kanë rritur kërkesën për likuiditet dhe kanë filluar të riaktivizohen. Duke pasur parasysh sa më sipër, veprimtaria e kreditimit nga sektori i mikrofinancës ka reflektuar një zgjerim të vëllimeve të kredisë së re të akorduar, dhe po ashtu edhe të numrit të kredive të dhëna.
Me ritme më të shpejta vërehet zgjerimi i kredisë personale, qoftë kjo në mbështetje të shpenzimeve familjare e konsumit, po ashtu edhe në drejtim të investimeve të moderuara familjare. Kredia për biznese, gjithashtu, është zgjeruar, kryesisht në drejtim të mbështetjes me mjete likuide dhe kapital qarkullues, ndërkohë që kredia për investime mbetet në nivele të moderuara si rezultat i një situate ende të pasigurt për rimëkëmbjen e veprimtarisë së biznesit, sidomos në disa fusha të veprimtarisë që nuk mbulojnë shërbime dhe produkte jetike për popullatën dhe bizneset.
Bazuar në shifrat paraprake të deklaruara nga institucionet anëtare, vëllimi i kredisë së disbursuar për këtë vit do t’u afrohet niveleve të vitit 2019 para pandemisë. Ndërkohë që veprimtaria kredituese gjatë këtij viti shënoi rritje, ajo u financua kryesisht me fonde të ardhura nga investitorë të huaj në kuadrin e skemave të garancive me origjinë nga Bashkimi Europian, dhe shumë pak nga fonde lokale, me origjinë nga bankat tregtare apo tregjet lokale të kapitalit. Gjithashtu, pothuajse të gjitha institucionet anëtare kanë rritur fondet e kapitalit dhe rezervat, të cilat të agreguara tregojnë një rritje me 20% të kapitalit të vet, krahasuar me një vit më parë.
Në drejtim të cilësisë së portofolit është bërë një punë sistematike për të mbështetur klientët në vonesë dhe ka pasur ulje në normën e moskthimit të kredive, e cila sipas shifrave paraprake, për 6-mujorin e parë qëndronte në nivelin e rreth 11%, ose e ulur me 250 pikë bazë krahasuar me vitin e kaluar (vonesa të kësteve mbi 30 ditë). Megjithatë, informacioni i përgjithshëm për këtë indikator është që drejt fundit të këtij viti është përmirësuar edhe më tej.
Si e parashikoni vitin 2022 për këtë sektor dhe cilat do të jenë sfidat kryesore?
Viti 2022 pritet të konsolidojë më tepër veprimtarinë ekonomike në vend, dhe të sjellë rigjallërim të sektorëve të cilët konsiderohen si prioritarë për vendin tonë. Megjithatë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare në drejtim të rritjes së çmimeve për produkte të caktuara, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në prodhim, manifakturë, tregti me shumicë dhe pakicë dhe në përgjithësi në ekonominë tonë të lidhur ngushtësisht me importin, pritet të vijojnë të kenë ndikim në kostot e bizneseve, fermerëve dhe në ekonomitë familjare.
Thënë kjo, ne gjykojmë që do të ketë kërkesë të shtuar për mjete likuide nga ana e bizneseve, por konsumi i familjeve do të mbetet në nivele të moderuara. Në varësi edhe të politikave të zhvillimit ekonomik, dhe incentivimit të tyre nga qeveria, sektorë të caktuar mund të vijojnë rritjen, dhe sigurisht mikrofinanca është e gatshme t’i mbështesë këta sektorë me mjete financiare për investime dhe zgjerim, dhe po ashtu, edhe me kapital qarkullues. Por, sërish gjykojmë që niveli i investimeve, sidomos në segmentet e biznesit mikro dhe biznes i vogël, që shërben mikrofinanca, do të mbetet i moderuar.
Sa prisni ta ndikojë biznesin e mikrofinancës vendosja e një norme tavan mbi interesat e kredisë konsumatore?
Tashmë Banka e Shqipërisë është drejt publikimit të një norme maksimale efektive për kredinë konsumatore, në zbatim të ndryshimeve të rregullores nr. 48 “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”, të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më 1 Shtator 2021.
Banka e Shqipërisë ka ndarë me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare vetëm para pak ditësh, një nivel paraprak nga përllogaritjet e kryera mbi kreditë konsumatore të lëvruara gjatë korrik – nëntor 2021, dhe pritet të publikojë këtë normë sapo të përmbyllet dhe raportimi i muajit dhjetor nga sistemi financiar.
Duke qenë se ky informacion na u vu në dispozicion para pak ditësh, institucionet anëtare që janë aktive në ofrimin e kredisë konsumatore ende nuk kanë qenë në gjendje të përllogarisin saktë ndikimin e këtyre ndryshimeve në planet e biznesit.
Megjithatë, që pas aprovimit të rregullores, ata kanë hartuar disa skenarë, duke përcaktuar edhe strategjinë se si do të administrojnë bilancet e tyre në prezencë të këtyre ndryshimeve. Ajo që vlen të theksohet është që asnjë anëtar i Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare nuk parashikon me vendosjen e normës tavan, një tërheqje nga financimi i nevojshëm për tregun shqiptar.
Duhet përmendur, megjithatë, që në drejtim të kredive të disbursuara dhe numrit të qytetarëve të mbështetur me kredi të vogla konsumatore (çdo vit disbursohen mesatarisht rreth 180 mijë kredi konsumatore), 90% e kredive në fashën deri në 200,000 Lekë janë dhënë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021 nga Institucionet Financiare Jo-Banka.
Sektori i mikrofinancës ka rritur në mënyrë të ndjeshme gjithëpërfshirjen financiare edhe për ato shtresa të popullatës që nuk kanë pasur akses të mëparshëm në produkte dhe shërbime financiare. Gjithashtu, zhvillimet teknologjike të reflektuara në këto tipologji ofruesish të kredive të vogla, kanë rritur nivelin e dixhitalizimit në popullatë dhe lehtësi në shërbimet dhe produktet e ofruara për qytetarët.
Ne shpresojmë që ndryshimet e miratuara të kenë ndikim të moderuar në veprimtarinë e institucioneve tona, në mënyrë që ata të vijojnë të mbështesin këto segmente të popullatës me produkte dhe shërbime financiare të ofruara në standarde të larta cilësie, lehtësi dhe shpejtësi./Monitor