Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se është i inkurajuar dhe madje i frymëzuar jo vetëm nga numri i interesimeve të ardhura mbi nismën e kryeministrit “Gati për Shqipërinë”, por edhe nga përmbajtja e tyre. Kryeministri shkruan se thirrja është e hapur dhe se mund të aplikojnë të gjithë ata që janë të interesuar. Kryeministri Edi Rama lançoi më 18 maj thirrjen për gjithë studentët e shkëlqyer që të ndihmojnë në punët e mëdha të mandatit të tretë.
Thirrja është e hapur dhe koordinatorët e kësaj nisme, vazhdojnë të mbledhin e të sistemojnë sipas kategorive aplikimet çdo ditë. Prandaj cilido që dëshiron të përfshihet është i mirëpritur të sjellë interesimin e vet.
Postimi i plotë
GATI PËR SHQIPËRINË???
Jam shumë i inkurajuar, madje i frymëzuar është fjala e duhur, jo thjesht nga numri i interesimeve të ardhura në adresën
gatipershqiperinë@kryeministria.al
po nga përmbajtja shpresëdhënëse e një pjese jo të vogël të aplikimeve?
Thirrja është e hapur dhe koordinatorët e kësaj nisme, vazhdojnë të mbledhin e të sistemojnë sipas kategorive aplikimet çdo ditë. Prandaj cilido që dëshiron të përfshihet është i mirëpritur të sjellë interesimin e vet.
Më poshtë dy aplikime të thjeshta, të cilat postohen pa emër për të mos bezdisur autorët e tyre, por vlejnë mbase për të krijuar një ide të natyrës së aplikimit. Siç u është bërë e ditur me e-mail të gjithë të interesuarve, kontaktet eksploruese me ta do të nisin menjëherë pas 31 majit?
* * *
• “Kam mbaruar studimet bachelor ne degën Informatike Ekonomike me mesatare 9.8, dhe jam përzgjedhur për të studiuar në universitetin NTNU në Norvegji gjatë studimeve bachelor. Kam zhvilluar studimet master (shkencor) ne Siguri Informacioni në Fakultetin e Ekonomisë me mesatare 10 dhe master (shkencor) në Information Systems në Lund University, Suedi. Aktualisht vazhdoj doktoraturën në Universitetin e Oslos, Norvegji dhe punoj si kërkuese shkencore në Ostfold University College, Norvegji.
Doja të shprehja gatishmërinë time për të kontribuar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri”.
• “Kam jetuar mbi 15 vjet në Amerikë, ku kam kryer edhe studimet e larta. Tre vite më parë jam kthyer në Shqipëri dhe dëshiroj vërtet të jap një kontribut të prekshëm për vendin tim. Kam përfunduar studimet e Bachelor në University of Callifornia, Los Angeles për Shkencat Politike, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Frëngjisht. Në Korrik, përfundoj Masterin Shkencor në Northeastern University për Studimet Globale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Ekonomi Ndërkombëtare dhe Konsulencë. Në eksperiencën time profesionale, kam punuar me Delegacionin e Bashkimit Evropian si dhe me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM). Kam shumë dëshirë të përfshihem në projekte që lidhen me politikën e jashtme të vendit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe negociatat me Bashkimin Evropian”.