Ditën e sotme, trajneri i kuqezinjve Edy Reja doli para mediave duke folur për grumbullimin e lojtarëve për tri ndeshjet e radhës që do të luhen gjatë këtij muaji me 11 nëntor në përballjen miqësore me Kosovën dhe me 15 dhe 18 me Kazakistanin dhe Bjellorusinë për kualifikueset e Ligës së Kombeve.
Në lidhje me “vllazëroren” me Kosovën Reja tha se do të jetë një ndeshje e ndjerë, por që nuk duhen kaluar limitet e miqësores.
“Do jetë një ndeshje e ndjerë, për tifozët. Unë do të hedh në fushë një ekip garues. Do bëjmë disa teste, para ndeshjeve të Nations League.Uroj që lojtarët të jenë të motivuar dhe të mos kalohen limitet e miqësores. Broja nuk mund të luajë, Gjasula do të vijë vonë dhe do të jetë. Kemi Hoxhallarin që e kam parë dhe është paraqitur mirë, sikurse edhe Ismajlgecin. Gjithashtu është edhe i riu Çepele, i cili mund të luajë. DO kemi një seancë stërvitore sot dhe do krijojmë një ide më të qartë në lidhje me skemën”.
“Kemi vështirësi në linjën e majtë. Lenjani nuk vjen dot, pasi ka probleme. Edhe Trashi nuk vjen dhe më duhet të merrja lojtarë që i kam parë dhe që i njoh. Ismajlgeci ka pasur probleme fizike që nuk ka luajtur ndeshjen e fundit. Kam folur me të dhe më ka thënë që nuk ka shqetësime. I mora ata të dy pasi kemi probleme në të majtë”.
Ndërkohë në lidhje me mungesën e mbrojtësit të Romës, Marash Kumbulla, Reja tha se po bëjmë të pamundurën për ta sjellë për ndeshjet e Ligës së Kombeve pasi ato janë më të rëndësishmet dhe kërkohef titojra me patjetër.
“Kumbulla? Dje kemi kontaktuar me ASL dhe na është thënë se është e vështirë, për shkak se kanë dalë edhe tre të tjerë pozitivë te Roma. Ne u kemi thënë se jemi të gatshëm të vëmë edhe një avion privat për të. Po presim dhe kemi ofruar mundësi për ta zgjidhur. Vazhdojmë me negociatat, shpresojmë që deri të shtunën të kemi një përgjigje. Është stërvitur dhe nuk ka probleme fizike”.
” Ideja është të mos humbasim fokusin në këto dy ndeshje. Duam të luajmë mirë, por sigurisht që e duam dhe fitoren. Kemi qenë favorit për vendin e parë dhe akoma jemi. Uroj të shfrytëzojmë potencialin që kemi. E nisëm me fitore, pastaj e ulëm ritmin, morëm dy pikë jashtë. Uroj të shfrytëzojmë faktorin fushë për këto dy ndeshje.”