Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e sotme ka vazhduar takimin me strukturat e PD-së në Shijak. Gjatë fjalës së mbajtur ai u ndal edhe tek gara që po zhvillohet brenda PD-së , për të përzgjedhur kryetarin, të cilat do të mbahen më 13 qershor. Basha e ka cilësuar këtë garë si një provë e vlerave të Partisë Demokratike dhe gatishmërisë për të vazhduar betejën për të përmbushur aspiratën e njerëzve për ndryshim.
“Qarku i Durrësit në tërësi ka patur dy veçori dhe këto spikatin pothuajse në përmasa të barabarta si në bashkinë e Durrësit, ashtu dhe në atë të Shijakut, në të Krujës, në të dyja degët ku është ndarë bashkia e Krujës, të Fushë Krujës dhe të Krujës. E para ka qenë fakti që kemi ardhur nga zgjedhjet e vitit 2017, po kështu të zhvilluara në kushtet e shkeljes sistematike të kodit zgjedhor, të blerjes sistematike të votave, por në rastin e Durrësit u kapën. Nuk u kapën si në rastin e Dibrës për shkak të informacioneve të brendshme që çuan pastaj në dosjen 184, po u kapën nga përgjimet nga operaionet e anti-narkotikës, shefat e narkotikës duke fol me shefat e qeverisë.
Pasi e publikoi Bildi u bënë tem në parlamentin europian, parlamentin gjerman, komisionin europian dhe sot që flasim, këtë ditë që flasim dosja 339 e përgjimeve të Durrësit dhe të Shijakut, është një nga 15 kushtet pse Shqipërisë nuk i hapen negocitat për anëtarësimin. Kush është i pari në atë dosje, e dini të gjithë. Se mund të themi Dako, apo dikush tjetër, i pari në atë dosje është Edi Rama. Sikundër koka e të keqes, me të gjithë procesin e masakrës zgjedhore të 25 prillit është prapë Edi Rama. Pra, veçoria e parë është që vijmë në një qark ku jo vetëm ka ndodhur ajo që ndodhi në fakt në të gjithë Shqipërinë në 2017, po dhe është provuar, siç është provua dhe ka dal huq të paktën deri tani, edhe drejtësia e dal nga reforma e 2016-ës që akoma s’ka çuar një politikan të vetëm nga ata të dosjes 339, prapa hekurave. Përundrazi, Vangjush Dako bënte fushatë haptazi, shkonte dhe në qendrat e numërimit bashkë me Ardian Çelën. Dhe këtu vijmë tek veçoria e dytë që Shijaku dhe i gjithë qarku i Durrësit e tregon që është ndërthurja e tre elementëve: e partisë të bërë njësh me shtetin në formën e politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve.
Ardian Çela është drejtor i OSHE-së, një nga kompanitë më të fuqishme publike të shtetit, sigurishtë dhe një nga figurat më të errëta të korupsionit. De jure drejtor i fushatës, sepse de facto dihej që drejtor mbeti Gjushi. Se nga Gjushi nuk ndahet dot Rama. Më përpara nuk ndaheshte dot se e kishte bankomat, tani nuk ndahet dot sepse ato që i lidhin me njëra-tjetrën, po ra njëri në Erzen e merr dhe tjetrin me vete. Pra, këtu në Shijak përballja ka qenë njësoj si në të gjithë Shqipërinë, me fenomenin e shtetit të bërë njësh me partinë. Ajo që i vuri kapakun në Shijak e në Durrës, për një javë shpërndanë 89 herë më shumë lekë për dëmet e tërmetit sesa ç’kishin shpërndarë në 15 muaj.
Pa asnjë drejtësi, se nuk e dimë nëse DS1 ka marrë DS1, apo DS5 ka marrë DS1, i ndikoi, i dhunoi, i bleu qindra mijëra familje anembanë qarkut të Durrësit dhe në qarqe të tjera të dëmtuara nga tërmeti. Gjithësecili prej jush të çohet këtu dhe të përshkruaj me penelata shumë më të ndezura se e keni parë me sytë tuaja se çfarë ka ndodhur në Shijak, se çfarë ka ndodhur në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë. Prandaj termi masakër zgjedhore është minimumi. Në fakt më 25 Prill është vrarë demokracia.”, tha Basha.