Fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë sërish nga flakët. Shtëllungat e tymit të zi, të favorizuara edhe nga era, janë shpërndarë në të gjithë hapësirën ajrore dhe i janë drejtuar zonave të banuara të qytetit.
Ky është një skenar i njohur që përsëritet çdo verë, pikërisht në kulmin e sezonit turistik, duke mbuluar qytetin me re të zeza tymi dhe duke shkaktuar rrezik serioz për shëndetin publik.
Flakët kanë pasur një vatër shumë të madhe në sipërfaqe, saqë kanë përfshirë dhe djegur plotësisht edhe një nga eskavatorët (skrep) që punonte në fushën e mbetjeve.
Forca policore ndodhen pranë zonës së zjarrit për të mbështetur zjarrfikësit dhe për të ndërhyrë në rast evakuimi të mundshëm të banorëve. Në terren janë të pranishme edhe forca të shumta zjarrfikëse.
Shkelje e përsëritur me pasoja penale
Vetëm në muajin qershor, e njëjta zonë u përfshi nga flakët tre herë. Tymi toksik ngrihet në ajër çdo verë, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi ligjore, megjithëse ligji është i qartë. Sipas Ligjit nr. 10 463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, përgjegjësia për mirëmbajtjen, sigurinë dhe menaxhimin e fushave të mbetjeve i takon njësive të qeverisjes vendore, në këtë rast Bashkisë së Vlorës.
Moszbatimi i masave për parandalimin e zjarreve apo ndotjen e rëndë të ajrit përbën shkelje administrative dhe penale. Kodi Penal parashikon deri në 7 vite burg për zyrtarët që neglizhojnë ose abuzojnë me detyrën, në rastet kur veprimet apo mosveprimet e tyre shkaktojnë rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Kjo heshtje, mungesa e kontrollit dhe mosndëshkimi bëjnë institucionet bashkëpërgjegjëse për një krim të vazhdueshëm mjedisor.
Ky nuk është rast i izoluar
Situata në Vlorë është vetëm një shembull i një fenomeni më të gjerë. Në Hardhishtë të Shijakut, mbeturinat digjen hapur pranë shtëpive të banorëve në një skemë të heshtur dhe të paligjshme, me mbështetje institucionale. Ndërkohë, në Porto Romano të Durrësit, qindra tonë mbetje toksike të importuara ilegalisht qëndrojnë të paprekura, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin e mijëra qytetarëve.
As satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”, të lëshuar me bujë të madhe për të monitoruar territorin dhe bujqësinë, nuk kanë sjellë asnjë raport konkret për përdorim. Këto projekte të kushtueshme mbeten në hije, pa ndonjë ndikim të dukshëm në terren.
Qëllimi i tyre, sipas qeverisë, ishte të monitoronin territorin shqiptar për shkelje në ndërtim, kultivim të lëndëve narkotike dhe emergjenca mjedisore, si zjarret që përfshijnë vendin.
Rama i cilësoi satelitët si “sy të paanshëm”, të cilët nuk njohin miq, parti apo lidhje emocionale, dhe që do t’i ekspozonin shkeljet autoriteteve përkatëse. Ai i përshkroi ata si një mjet të fuqishëm për kontrollin dhe parandalimin e shkeljeve ligjore në territor.
Por ndërsa vendi digjet dhe mijëra hektarë pyje dhe tokë po shkrumbohen nga flakët, roli dhe efektiviteti i këtyre “syve nga qielli” mbetet i paqartë dhe duket minimal.
Në terren, situata është dramatike: qindra banorë përballen me zjarret pa ndihmë të mjaftueshme, humbasin prodhimet dhe rrezikojnë banesat e jetën e tyre.
Ndërsa qeveria vazhdon të lavdërojë satelitët dhe dronët që “monitorojnë gjithçka nga lart”, flakët vazhdojnë të shkrumbojnë sipërfaqe të mëdha në tokë.