FSHF i bashkohet masave ndaj koronavirusit, ndërpret të gjitha aktivitetet futbollistike

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Federata Shqiptare e Futbollit ka pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në Shqipëri.

Ky vendim është marrë pas situatës së krijuar nga koronavirusi, ku deri më tani janë konfirmuar 23 raste dhe është shënuar një viktimë.

FSH bën me dije, se të martën e ardhshme, UEFA do të zhvillojë një video-konferencë me të 55 federatat europiane të futbollit, për t’u informuar në lidhje me ecurinë e të gjitha aktiviteteve.

Njoftimi i plotë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.

Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike europiane për klube e ekipe kombëtare. Urojmë që të rikthehemi sa me shpejtë me lojën tonë të dashur.

Qeveria ndërkohë ka ndërmarrë një sërë masash shtrënguese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Që prej ditës së djeshme, ushtria ka ngritur 70 pika kontrolli në të gjithë vendin, për të evidentuar personat që thyejnë rregullat e vetëkarantinimit.

Gjithashtu është urdhëruar mbyllja e lokaleve, ndalimi i të gjithë aktiviteteve kulturore e sociale.

Ministria e Shëndetësisë ka vijuar me thirrjet për respektimin e rregullave të higjienës dhe minimizimin e daljeve nga shtëpia.

Shpërndaje
Share.

Komento